Miljoni, tashmë emër i njohur i muzikës në Zvicër, ka publikuar edhe një këngë të re në gjermanisht, “Allei im Zimmer” (I vetëm në dhomë), me të cilën paralajmëron një periudhë të re të jetës dhe të krijimtarisë së tij.

Marketing

“E kam shkruar dy vitet e fundit, vite këto me plot dinamikë, më lockdown e me ca sfida personale”, thotë për albora.ch Jon Gashi (si e ka emrin e vërtetë Miljoni).

Joni, i cili në Bernë ka ardhur si trevjeçar, pasionin për muzikë thotë se e ka trashëguar nga e ëma dhe beson se elementin melankolik në muzikën e tij e ka nga muzika shqipe. Aktivisht ka filluar të merret me muzikë si DJ e më vonë ua ka bërë instrumentalet shokëve të tij, të cilët bënin muzikë rep. Pastaj gradualisht ka filluar edhe vetë të merret me rep dhe këndim. “Kështu e vërejta se, pos si producent, mund të shprehem edhe me tekst, edhe me zë”, thotë ai.

Është bërë emër i njohur me albumin”Mili‘s Mond”, sidomos me këngën “Wyt Wäg” të cilën e kanë transmetuar edhe në radio dhe është pritur fort mirë, sepse përmban elemente te një kënge popullore zvicerane.

Joni vazhdon të merret me muzikë krahas studimeve të tij – ka mbaruar Bachelor në fakultetin juridik, master në filozofinë e të drejtës, ndërsa aktualisht është në vitin e dytë të doktoraturës në UNI Bern – poashtu në lëndën e filozofisë së të drejtës, si dhe punon si asistent këtu. Tash ndjen se është koha për një jetë ndryshe dhe këtë e shpreh me vargjet e refrenit të këngës së fundit:

Gjithmonë sa herë në dhomë vetëm jam
dëgjoj njëmijë zëra brenda meje
veç dua që të bëhet prapë qetësi si atëherë.

“Me këtë këngë kam dashur që të ndahem prej kësaj kohe, t’i them latumirë, duke qenë i gatshëm të hyj në një pranverë të re, për të përjetuar gjëra të reja”, thotë ai.

D. Gashi

Këngën më të re të Miljonit dëgjojeni duke klikuar KËTU

Marketing