Radhë të gjata para sportelit të kontrollit, mijëra fluturime të anuluara. Çfarë ndodh në aeroportet gjermane dhe në trafikun ajror në fillim të sezonit të pushimeve verore?

Marketing

Ajo që ka ndodhur në aeroportet evropiane javët e fundit tregon se çfarë mund të ndodhë kur sezoni i verës është në ecje të plotë. Mbi të gjitha, pasagjerët do të kenë nevojë për shumë durim. Turmat në sportelet e aeroporteve gjermane, por edhe në vendet e tjera evropiane sa vijnë e shtohen. Arsyeja kryesore është mungesa e fuqisë punëtore, qoftë ajo e sigurisë, punonjësit në sportelet e kontrollit apo stafi që punon në dërgimin e bagazheve. Britanikja “Izidjet” ka konfirmuar këto ditë se për shkak të mungesës së punëtorëve do të anulojë mijëra fluturime të planifikuara gjatë verës, shkruan DW.

Gjatë pandemisë, shumë kompani pushuan nga puna punëtorët dhe shumë prej tyre gjetën punë më të paguara ndërkohë. Për momentin, rreth një e pesta e personelit operacional të terrenit mungon, thotë Ralph Baisel i Shoqatës së Aeroportit (ADV) në Gjermani. Punësimi i përshpejtuar nuk është i mundur, sepse personeli i sigurisë duhet të kalojë një kontroll të përshtatshëm sigurie që zgjat disa javë. “Ai kontroll nuk mund të zgjasë tetë javë, atëherë vera ka mbaruar,” vëren Baisel.

Mungesa e punëtorëve

Probleme ka edhe në ajër – “Lufthansa” gjermane ka anuluar disa qindra fluturime të planifikuara për në korrik për shkak se nuk ka punonjës të mjaftueshëm që punojnë në avionë. “Ka qenë prej kohësh e qartë se shkurtimet e vendeve të punës në shumë fusha do të kenë një ndikim negativ në trafikun ajror,” tha Stefan Hert, president i Unionit të Pilotëve të Kabinës. Nuk është e mundur të gjesh shpejt pilotë të mjaftueshëm dhe ky është një problem në të gjithë botën. Prandaj, në Shtetet e Bashkuara, pilotëve në trafikun rajonal u ofrohen kushte më të mira se ata që konsideroheshin si maksimalisht të mirë përpara pandemisë, pohon Heinrich Grossbongart, ekspert i trafikut ajror nga Hamburgu.

Fuqia e atyre që punojnë po rritet. Në Gjermani rrezikon edhe mundësia e grevës së pilotëve të Lufthansa-s për shkak se menaxhmenti i kësaj kompanie po transferon gjithnjë e më shumë fluturime tek kompania e bijës “Eurovings”, e cila ka çmime disi më të favorshme të biletave. “Lufthansa” duhet të kursejë – kompania ishte në telashe të mëdha gjatë pandemisë, tani është në proces riorganizimi dhe në të njëjtën kohë dëshiron të ofrojë shërbim të shpejtë dhe të besueshëm për klientët. Është e vështirë, është dashur ta pranojë kreu i “Lufthansa”-s, Carsten Spor, të cilit, siç thotë ai, i është dashur të kërkojë falje disa herë pasagjerëve për problemet në organizimin e trafikut. Dhe, siç e pret edhe vetë, këtë do t’i duhet ta bëjë edhe gjatë periudhës së verës.

Karburanti i shtrenjtë

Ka probleme të tjera. Çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm për shkak të luftës në Ukrainë. Hapësira ajrore ruse është e mbyllur. Avionët që fluturojnë në Lindjen e Largët duhet të përdorin rrugë të tërthorta dhe fluturimet më të gjata vetëm sa rrisin kostot. Prandaj Grossbongart pret që disa linja ajrore mund të gjenden në telashe serioze. Eksperti nga Hamburgu pret gjithashtu falimentime, për shembull me ato kompani më të vogla, jofitimprurëse që mbijetojnë vetëm falë ndihmës shtetërore.

Mes gjithë këtyre turbulencave, këtë të mërkurë, më 22 qershor, nis në Berlin Shfaqja Ndërkombëtare Ajrore (ILA). Zakonisht mbahet çdo dy vjet, por u anulua për shkak të pandemisë 2020. Pritet që sektori i aviacionit ushtarak të jetë në fokus këtë vit, për shkak të luftës në Ukrainë. Dhe një tjetër temë e madhe do të jetë mbrojtja e mjedisit.

Humbje të mëdha

Ai komponent ekologjik stimuloi në radhë të parë biznesin e “Airbus” dhe “Boeing”. Përdorimi i avionëve me karburant të ulët i ndihmon linjat ajrore të arrijnë objektivat e tyre të emetimeve. Deri në vitin 2040, Airbus pret që tregu të kërkojë 39 mijë avionë, pra avionë të gjeneratës së re që do të zëvendësonin modelet e vjetra që “gëlltitin” shumë vajguri. Boeing pret një rritje vjetore të numrit të pasagjerëve prej 3.1 për qind deri në vitin 2040. Megjithatë, ekspertë të tillë si Heinrich Grossbongard besojnë se ky është një skenar shumë optimist.

Pas dy viteve të vështira të koronës me humbje të mëdha, industria ajrore më në fund sheh dritën në fund të tunelit. Në vitin 2023 pritet që realizimi përfundimtar i fitimeve të jetë i mundur, thotë drejtori i përgjithshëm i Shoqatës Botërore të Industrisë së Aviacionit (IATA), Willy Walsh.

Megjithatë, këtë vit priten humbje prej rreth 9.7 miliardë dollarësh. Kjo tingëllon si shumë, por në realitet është shumë, shumë më pak se gjatë viteve të pandemisë 2020 dhe 2021, kur humbjet arritën respektivisht në 138 miliardë dollarë dhe 42 miliardë dollarë amerikanë.

Foto: Pixabay

Marketing