Të rinjtë kosovarë po vazhdojnë që të lobojnë nëpër botën për Kosovën.

Marketing

Me gjeste të vogla po bëjnë që ata të cilët nuk kanë informacione ose që kanë ndonjë qëndrim negativ ta ndryshojnë mendimin për Kosovën.

Një rast i tillë është i Jeton Rugovës.

Jeton Rugova është një i ri kosovar që ka bërë një ndryshim të madh për Kosovën në Aeroportin e Mynihut.

Gjatë vitit të kaluar derisa po udhëtonte në Aeroportin e Mynihut, ai vërejti diçka të pazakontë. Në hartat të cilat ishin të vendosura në Aeroportin e Mynihut shteti ynë, Kosova ishte e paraqitur brenda territorit të Jugosllavisë.

Lidhur më këtë çështje, Rugova ka dhënë një prononcim për Albora.ch, ku ka shpjeguar se si erdhi deri te zbulimi i këtyre hartave.

“Vitin e kaluar gjatë një udhëtimi nga Aeroporti i München-it e kam vërejtur që hartat në Aeroport nuk janë aktuale dhe paraqitet ende Jugosllavia si një shtet i vetëm”, ka thënë ai.

Më tej, Rugova ka treguar se çfarë veprime kishte bërë pasi i kishte vërejtur këto harta, dhe çfarë përgjigje kishte marrë nga Aeroporti i Mynihut.

“Prandaj qysh atëherë e bëra një kërkesë në Twitter, pavarësisht përgjigjes së shpejtë nga Aeroporti i München-it gjatë udhëtimit të ardhshëm e pashë që hartat nuk kanë ndërruar dhe nuk ishte vetëm një hartë aty por më shumë dhe duke marrë parasysh se ishin gjatë gjithë rrugës deri tek kontrolla e pasaportave vendosa të ankohem prapë, pas ankesës së dytë Aeroporti i München-it më kontaktoi duke kërkuar vendndodhjen e saktë të këtyre hartave duke marrë parasysh madhësinë e Aeroportit”, ka shpjeguar Rugova.

Ai ka theksuar se pasi që ishte kontkatuar nga Aeroporti i Mynihut këto harta ishin ndryshuar për pak ditë.

“Kështu para 3 ditëve kur udhëtova përsëri e pashë që të gjitha hartat janë ndërruar”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, këtë kërkesë e ka bërë me qëllim që të informohen se Kosova është shtet i pavarur.

“Kërkesën e bëra me të vetmin qëllim që të gjithë ta dijnë Kosova është tash e 15 vjet shtet i pavarur dhe jo më pjesë e Jugosllavisë pasi që në Gjermani ende një pjesë e popullsisë nuk kanë informacione të sakta se çka ndodh në Ballkan”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Rugova është shprehur se “si qytetarë e kemi obligim moral e kombëtar që secili nga ne ta vendosë një tullë në procesin e shtetndërtimit”.

“Pasi që udhëtova në ditën e Epopesë së UÇK-së vendosja e Kosovës në hartën europiane më gëzoj tej mase, pasi që si qytetarë e kemi obligim moral e kombëtar që secili nga ne ta vendosë një tullë në procesin e shtetndërtimit, sepse edhe gjestet më të vogla si kjo kur bëhen nga të gjithë ne atëherë bëhet një diferencë e madhe”, ka thënë ai.

Jeton Rugova

Në fund, Rugova ka një kërkesë për të gjithë bashkëatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë jashtë shtetit të Kosovës.

“Prandaj shfrytëzoj rastin ti ftoj të gjithë ata që ndodhen jashtë shtetit që punojnë e veprojnë atje të insistojnë që shteti ynë të njihet ngado dhe poashtu të kujdesen për veprimet e tyre sepse gjestet e secilit që është jashtë shtetit e përfaqësojnë indirekt shtetin tonë. Të tregojmë Kulturën tonë kombëtare ngado që shkojmë është më e pakta që mund të bëjmë”, ka përfunduar Rugova për Albora.ch .

Marketing