Me një dekret tjetër të Presidentes Osmani, znj. Spahiu poashtu është emëruar Inspektore Gjenerale e FSK-së

Marketing

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni, ka graduar gjeneral brigade Irfete Spahiu me gradën gjeneralmajore në FSK. Me një dekret tjetër të Presidentes Osmani, znj.Spahiu poashtu është emëruar Inspektore Gjenerale e FSK-së.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Presidentja Osmani ka përgëzuar gjeneralmajoren Spahiu, duke i dëshiruar suksese të mëtejme në ngritjen profesionale të FSK-së. Sipas Presidentes Osmani, është hera e parë në historinë e shtetit të Kosovës dhe ushtrisë sonë që në hierarkinë e saj ta ketë gjeneralmajore një grua. Emërimi i znj.Spahiu edhe në pozitën e Inspektores Gjenerale të FSK-së, sipas Presidentes Osmani është një garancë për vazhdimin e mirëfunksionimit dhe zbatimit të standardeve profesionale të Forcës.

“FSK-ja po profesionalizohet çdo ditë e më tepër. Përfshirja sa më e madhe e grave në strukturën drejtuese të FSK-së e bën atë më të fortë, më të besueshme dhe më profesionale. Gjeneralmajore Spahiu është një ndër shtyllat e FSK-së, ndaj duhet bërë edhe më shumë që sa më shumë gra të përfshihen në përbërjen dhe udhëheqjen e FSK-së”, ka Osmani.

E inspektorja gjenerale në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Irfete Spahiu, tha se këtë përgjegjësi nga institucionet e Kosovës do ta kryejë me nder e dinjitet.

“Kjo është përgjegjësia e imja po shpresoj e po besoj që besimi që institucionet e Kosovës ma kanë dhënë do ta ruaj me nder dhe dinjitet”, tha ajo.

Marketing