Aida Birinxhiku është vetëm 23 vjeçare, por ka arritur tashmë të bëhet deputete në Parlamentin e Suedisë nga radhët e partisë Socialdemokrate dhe sigurisht tashmë shqiptarja nga Kosova është berë një emër i njohur në politikën suedeze.

Marketing

Birinxhiku jeton dhe vepron në Halland, Falkenberg të Suedisë, dhe është deputetja e cila do të përfaqësojë në Kuvend edhe komunitetin shqiptar në këtë shtet.

Në një intervistë ekskluzive për Albora.ch, 23 vjeçarja, ka treguar më shumë se si familja e saj emigroi për në Suedi në vitet e 90ta dhe tregon në hollësi se si do të angazhohet që të gjithë fëmijët pa dallim të kenë kushte të njejta shkollimi.

Aida Birinxhiku

Albora.ch: Ju tashmë jeni deputetja e parë shqiptare në parlamentin suedez, si ndjeheni për ketë?

Aida Birinxhiku: Ndihem shumë e lumtur, krenare dhe falënderuese për këtë mbështetje dhe besim. Është e vështirë të përshkruaj mirënjohjen time.

Albora.ch: Cili është fokusi juaj tashmë në politikë dhe për çfarë do të ngrisni zërin?

Aida Birinxhiku: Edukimi për mua është shumë i rëndësishëm. Unë do të angazhohem që të gjithë fëmijët, qofshin ata të huaj, të pasur apo të varfër të kenë kushte të njëjta shkollimi. Është e rëndësishme që çdo fëmijë të ketë sukses në shkollë, e veçanërisht fëmijët që vijnë nga shtete të tjera në Suedi. Edukimi është një rrugëdalje nga kriminaliteti, tjetërsimi dhe varfëria.

Albora.ch: Ju jeni e re në moshë vetëm 23 vjeçare, që kjo do të thotë shumë për politikë, a mendoni se është një mundësi e artë për ngritje profesionale por edhe politike?

Aida Birinxhiku: Besoj se unë si deputete e re mund të sjell këndvështrime dhe energji të reja për çështje të ndryshme. Është mirë të kemi një parlament që përfaqëson shoqërinë. Ne kemi nevojë për deputetë të vjetër dhe të rinj, burra dhe gra, etj. Do të doja të frymëzoja edhe të rinj të tjerë që të angazhohen në politikë, është e rëndësishme për demokracinë tonë.

Albora.ch: Na folni më shumë për vetën dhe jetë në Suedi, çfarë saktesisht bëni?

Aida Birinxhiku: Jam 23 vjeçare dhe juriste e diplomuar. Prej javës së kaluar jam edhe deputete në parlamentin suedez.

Albora.ch: Familja juaj ka emigruar vite më pare, na thuaj si është të rritesh në një shtet si Suedia, a keni pasur paragjykime?

Aida Birinxhiku

Aida Birinxhiku: Suedia më ka ofruar mua dhe familjes sime shumë mundësi.

Megjithatë, unë besoj se Suedia mund të bëjë më mirë kur bëhet fjalë për shembull për kujdesin shëndetësor, sistemin arsimor dhe sigurinë. Për këtë arsye merrem me politikë.

Albora.ch: Na thuaj në të ardhmën a do të pranonit të ktheheni në Kosovë për të jetuar?

Aida Birinxhiku: Unë jam lindur dhe rritur në Suedi, por prindërit e mi janë nga Peja. Përpiqem ta vizitoj Kosovën çdo verë.

Albora.ch: Çfarë mendoni për politikën në Kosovë e sidomos Kuvendin e Kosovës?

Aida Birinxhiku: Unë jam e angazhuar me politikë në Suedi dhe jo në Kosovë. Megjithatë mund të them se unë si deputete në Suedi dua të punoj për liberalizimin e vizave dhe procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.

A. Jahaj

Marketing