Marketing

Ashtu sikurse është mesazhi i sivjetmë “Gratë me Krahë”, Nita Qena po i jep ‘krahë’ tash e sa vite procesit të organizimit dhe ngjyrosjes së monumentit NEWBORN. Në një intervistë për portalin albora.ch, ajo rrëfen momentet më interesante që nga shpalosja e këtij monumenti e deri më sot.

Nita njëkohësisht është gruaja dhe krahu i djathtë e ideatorit të këtij monumenti Fisnik Ismaili.

1.Jeni njëra ndër gratë që çdo vit keni kontribuuar në ngjyrosjen e monumnetit NEWBORN dhe pikërisht këtë vit përcillet mesazhi për gratë në të gjitha fushat, sidomos atyre që abuzohen, pse pikërisht në këtë përvjetor po përcillet një mesazh i tillë?

Jam një ndër shumë gratë që çdo vit na japin përkrahjen e tyre duke punu vullnetarisht dhe me shumë kujdes në NEWBORN, unë e kam përgjegjësinë me organizu punën edhe me përcjellë procesin, por pavarësisht temave e kam bërë gjithmonë këtë punë me shumë përkushtim dhe dashuri.

Sivjet NEWBORN i ka dy fytyra, pjesa e përparme ku i kremtojmë sukseset e shumta të qikave tona, që na kanë nxjerrë lot krenarie shumë herë gjatë vitit të kaluar, dhe pjesa e pasme ana e errët e pozitës së gruas në shoqninë tonë, që na ka nxjerrë lot dhimbjeje shumë herë nga rastet e tmerrshme të dhunës në familje, e shkeljes të drejtave të barabarta.

2.Nga të gjithë përvjetorët e shtetësisë që keni marrë pjesë në finalizimin e NEWBORN, cili ka qenë emocioni më i ‘jashtëzakonshëm’ për ju?

Ende në jetë nuk kam përjetu ndonjë moment që mundet me zbehë momentin kur është zbulu NEWBORN për herë të parë, turma e njerëzve duke e nënshkru, edhe na të mrekulluem nga distanca veq e përcjellshim qysh po mbulohet komplet me nënshkrime, edhe nuk e besojshim as vet çka kemi bo.

Çdo vit me pamjet e reja të NEWBORN rikthehen ato emocione, por asnjëherë si ato të parat!

3.Tash e sa vite ju punoni vullnetarisht dhe me shpenzime vetanake, a keni marrë ndonjëherë përkrahje instiucionale për ngjyrosjen e monumentit?

Po, kemi pasë përkrahje nga Ministria e Kulturës për 10 vjetorin e pavarësisë kur na u desht me prodhu një 1sh, përndryshe gjithmonë me forca vetanake edhe përkrahjen e dashamirëve si Deutschecolor që na falin ngjyrat çdo vit pa kurrfarë kursimi, BS skele, e shumë kafe e restorante të qytetit që na sjellin pije të ngrohta e ushqime për vullnetarët.

4.Kemi parë shumë çika e djem që nuk hezitojnë ta japin kontributin e tyre që NEWBORN të duket sa më bukur dhe që përmes dizajnit po ashtu, të përçohet një mesazh, si e komentoni këtë?

Një gjë që e bën shumë të veçantë NEWBORN është ajo ndjenja që është i të gjithëve, të gjithë e dojnë shumë edhe për atë me shumë përkushtim pa kurrfarë hezitimi na përgjigjen vullnetarët, bile nganjëherë edhe nuk arrijmë me i angazhu të gjithë.

5.Njëkohësisht, jeni edhe gruaja e ideatorit të monumentit, sigurisht se një grua si ti ka ofruar edhe ide ndër vite, a mund të na tregoni çfarë saktësisht e keni këshilluar?

Nuk mundem me veçu ndonjë ide specifike, se shumica e ideve na lindin në bisedë e sipër, dikush thotë diçka e mandej tjetri e plotëson. Por, Fisi e ka atë aftësinë me ditë me i identifiku potencialet e ideve, si dhe e ka këmbënguljen e duhur që me i realizu, unë mandej jam krahu. /albora.ch/

Marketing