Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilluan një takim të përbashkët trepalësh më 27 shkurt në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut.

Marketing

Në atë takim është diskutuar mbi propozimin evropian. Të dyja palët u deklaruan pro tij, ndonëse për të njëjtin nuk pati nënshkrim.

Ndër të tjera, në atë marrëveshje thuhet se palët nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në organizata ndërkombëtare.

Por, duket se Vuçiqi nuk e ka marrë seriozisht këtë dokument.

Presidenti serb tha të martën se në Bruksel palët nuk janë pajtuar për asgjë, ndërsa për pikën ku thuhet se “palët të mos i ndërhyjnë njëra-tjetrës për anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, presidenti Vuçiq tha se nuk i ka pëlqyer.

“Ndërsa unë jam president i republikës, nuk do të nënshkruaj as njohjen formale e as informale të Kosovës, as anëtarësimin në OKB”, tha Vuçiqi, derisa pika e katërt e propozimit evropian specifikon se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Për këtë çështje, ka kërkuar opinion nga shteti sponsorizues i propozimit evropian, Gjermania, nëse kjo deklaratë e Vuçiqit përbën shkelje të marrëveshjes.

Në një përgjigje me shkrim nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë thënë se palët duhet t’u përmbahen përkushtimeve të qarta të propozimit, në veçanti nenit për organizatat ndërkombëtare.

“Ishte e rëndësishme që të dyja palët erdhën në Bruksel të hënën dhe ranë dakord në parim për propozimin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen aktivisht në procesin e mëtejshëm. Kjo përfshin respektimin e angazhimeve të tyre të qarta për të gjitha aspektet e propozimit, duke përfshirë ato në lidhje me organizatat ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen gjermane për Klankosova.tv.

Gjermania tha po ashtu se e mirëpret rezultatin pozitiv të takimit të dialogut nga e hëna në Bruksel pasi “të dyja palët u pajtuan për Propozimin gjermano-francez”.

Qeveria gjermane, thotë Ambasada, mbështet fuqishëm dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajçak.

“Propozimi ofron mundësinë për të bërë një hap të madh përpara dhe për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Ky shans duhet të përdoret tani nga palët”, potencohet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti ishte i shpejtë në reagim pas deklaratës së Vuçiqit.

Ai tha se “Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

“Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të nenit të 4-të të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”, tha Kurti  në Twitter.

Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, por që të njëjtit i janë referuar vetëm deklarimit të zëdhënësit të DASH-it, Ned Price, i cili ditë më parë lëshoi një komunikatë përmes së cilës përshëndeste dakordësimin e Kosovës dhe Serbisë për propozimin evropian.

“Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së”, tha Price.

Marketing