Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.

Marketing

Gërvalla tha se temë bisede me ambasadoren amerikane ishte kriza aktuale e sigurisë dhe ndikimi i mundshëm i saj në Ballkanin Perëndimor.

“Ishte kënaqësi të shkëmbenim mendime rreth krizës aktuale të sigurisë dhe efekteve të saj të mundshme të përhapjes në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Nga ana tjetër, Thomas-Greenfield është shprehur mirënjohëse për kontributin e Kosovës në mikpritjen e refugjatëve afganë, si dhe përkrahjen që po e jep tash për popullin e Ukrainës.

“Kënaqësi të takoja zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla-Shwarz. I shpreha vlerësimin tim për ndihmën e Kosovës në mikpritjen e afganëve që kishin nevojë – dhe mbështetjen e popullit të Ukrainës gjatë pushtimit brutal të Rusisë”, ka shkruar ambasadorja amerikane.

Gërvalla po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku do të përfaqësojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit që mbahet këtë të mërkure.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të mërkurën pasdite në New York, për të shqyrtuar raportin e radhës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres rreth punës së UNMIK-ut.

Gërvalla në këtë mbledhje pritet të flasë rreth progresit të arritur në vend, qasjes së Serbisë dhe rreziqeve që i kanosen rajonit pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë.

Në këtë takim do të marrë pjesë edhe Republika e Shqipërisë, e cila që nga janari i këtij viti është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për periudhën kohore 2022-2023.

Marketing