Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha sot se Franca nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, por ai parashtroi kushte të shumta përpara se të ndërmerret një hap kaq i rëndësishëm.

Marketing

Franca ka dërguar në Ukrainë sisteme të mbrojtjes ajrore, njësi raketahedhëse, topa dhe pajisje të tjera ushtarake dhe është zotuar të dërgojë edhe mjete të blinduara për mbikqyrjeje dhe luftarake, por nuk ka dërguar tanke luftarakë ose armatime më të rënda.

I pyetur në një konferencë shtypi në Hagë nëse Franca po shqyrton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë, Macron tha se “asgjë nuk përjashtohet” për sa kohë që do të plotësohen disa kushte.

Ndër këto kushte janë: sigurimi se pajisje të tilla nuk do të përdoren për një përshkallëzim të tensioneve ose që nuk do të përdoren “për të prekur tokën ruse” dhe se kjo nuk do të “dobësonte kapacitetet e ushtrisë franceze”.

Ai tha gjithashtu se Ukraina do të duhet t’i kërkojë zyrtarisht avionët. Macron vuri në dukje se do të takohet të martën në Paris me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Oleksi Reznikov.

Zyrtarët ukrainas kanë rritur kërkesat për armë më të rënda nga aleatët perëndimorë për të përballuar forcat ruse.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, i cili ishte në konferencë bashkë me Macron, tha se Ukraina nuk ka kërkuar zyrtarisht avionë luftarakë holandez F-16 deri më tani. Ai mbajti një qëndrim më të kujdesshëm pasi ministri i Jashtëm holandez u tha ligjvënësve në fillim të këtij muaji se nuk kishte “asnjë tabu” për dërgimin e avionëve luftarakë.

“Nuk flitet për dërgimin e F-16 në Ukrainë. Nuk ka asnjë kërkesë”,- tha Rutte sot. Nuk ka “tabu, por do të ishte një hap tjetër shumë i madh”.

“Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe që Ukraina të na artikulojë për gjërat që ka nevojë”,- tha Rutte.

Ai mirëpriti njoftimet e fundit gjermane dhe amerikane për dërgimin e tankeve në Ukrainë.

“Si Holandë, ne do të vazhdojmë të shikojmë se çfarë mund të bëjmë,”- tha Rutte. “Ne nuk kemi tanke Leopard 2, i marrim me qira. Ne kemi thënë nëse kjo ndihmon, ne jemi të përgatitur t’i blejmë dhe t’i kalojmë. Ndoshta është më mirë të përdorësh Leopard 2 të marra me qira diku tjetër“- tha ai. /Apnews

Marketing