Policia iraniane paralajmëroi më 28 shtator se do të përballet “me gjithë fuqinë që ka” me protestat e udhëhequra nga gratë, të cilat shpërthyen gati dy javë më parë, pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares, Mahsa Amini.

Marketing

Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Teheranit të përmbahet nga përdorimi i “forcës së panevojshme ose joproporcionale” kundër protestuesve.

Zyrtarët thanë se 60 persona kanë vdekur gjatë protestave, por grupi Iran Human Rights thotë se të paktën 76 persona janë vrarë që nga nisja e protestave.

Gruaja kurde u shpall e vdekur tri ditë pasi Policia e moralit, një njësi përgjegjëse për zbatimin e Kodit të rreptë të veshjes për gratë në Iran, e arrestoi atë në Teheran për mbajtjen e shamisë së kokës në mënyrë “të pahijshme”.

Më 26 shtator, zyrtarët iranianë thanë se kishin arrestuar mbi 1.200 persona, përfshirë ata kishin aktivistë, avokatë dhe gazetarë.

Protestat në Iran janë duke u mbajtur për 12 ditë me radhë.

Zyrtarët kanë thënë se Amini ka vdekur nga sulmi në zemër, mirëpo familjarët e saj, dhe disa grupe për të drejta të njeriut, kanë hedhur poshtë këto supozime, duke thënë se ajo ka pasur shëndet të mirë.

Sipas tyre, gruaja është rrahur sa ka qenë në mbajtje.

Në disa postime në rrjetet sociale, familjarët e personave të vrarë nëpër protesta, kanë thënë se autoritetet u kanë lëshuar certifikatat e vdekjes me arsyetimin se ata kanë pasur sëmundje të ndryshme.

Disa të tjerë kanë thënë se autoritetet u kanë bërë presion që të varrosin familjarët e tyre brenda natës, për të fshehur atë që ka ndodhur.

Aplikacionet sikurse WhatsApp, Instagram dhe Skype janë bllokuar ditëve të fundit në Iran.

Marketing