Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka bërë të ditur se tashmë ka nisur procesi i konvertimit të patentë  shoferëve në të gjitha landet gjermane.

Marketing

“Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve të Republikës së Kosovës në Gjermani dhe nënshkrimit të saj, me datë 6 prill 2022 nga ana e Ministrit të Brendshëm të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla dhe Sekretarit të Shtetit në Ministrinë Federale për Transport dhe Digjitalizim të Gjermanisë, z. Oliver Luksic, ka filluar tashmë procesi i konvertimit të patentë shoferëve në të gjitha landet gjermane”, thuhet në njoftim.

Për të shpejtuar këtë proces, sipas ambasadës, ka nisur lëshimi i vërtetimeve përmes të cilëve bëhet e ditur marrja e patentë shoferit në procedurë të rregullt në Kosovë.

“Andaj, me qëllim të përshpejtimit të procesit të verifikimit të patentë shoferëve, dëshirojmë t`iu informojmë se, gjashtë misionet konsullore të Republikës së Kosovës në Gjermani (përkatësisht në Berlin, në Düsseldorf, në Frankfurt, në Hamburg, në München dhe në Stuttgart), kanë filluar verifikimin e patentë shoferëve për shtetasit e Kosovës, konkretisht lëshimin e vërtetimeve përmes së cilëve vërtetohet marrja e patentë shoferëve në procedurë të rregullt në Kosovë”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Tutje, ambasada thekson se, në rast se qytetarët aplikojnë për konvertim të patentë shoferit tek institucionet kompetente gjermane (Führerscheinstelle), atëherë ky verifikim bëhet përmes komunikimit zyrtar (me e-mail) ndërmjet dy institucioneve kompetente (Führerscheinstelle dhe misionit konsullor).

Këtë shërbim misionet konsullore e kryejnë pa pagesë.

Ndërsa, qytetarët të cilët dëshirojnë të pajisen paraprakisht me vërtetim, atëherë misionet konsullore të Republikës së Kosovës do të lëshojnë një vërtetim të tillë, përmes të cilit dëshmohet marrja e patentë shoferit në procedurë të rregullt në Kosovë. Për këtë shërbim duhet paraprakisht të bëni termin në misionet konsullore. Lëshimi i këtij vërtetimi do të kushtojë 20 €./albora.ch/

Marketing