Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka takuar  21 të rinjtë shqiptarë që kanë ardhur në vizitë nga Gjermania dhe Zvicra

Marketing

Abazi përmes një postimi në Facebook, ka shpalosur deklaratat e të rinjve shqiptarë, me të cilët është takuar në Kuvendin e Kosovës.

“Biseduam për shumë gjëra, fenomene dhe për realitetin në Kosovë dhe mundësitë e sfidat. Me përulje u falënderova prindërve të tyre për punën e sakrificën që kanë bërë e po bëjnë për vendin. Ndërsa të rinjve u falënderova për kontributin e për vizitat dhe interesimin për vendin dhe rrënjët e tyre. Ne nuk ju dalim dot hakut asnjërit nga diaspora dhe sidomos duhet hapur zemrën, krahët dhe dyert për mërgatën tonë!”, ka shkrua Abazi nw Facebook, përcjell Albora.ch

Postimi i plotë:

Çfarë energjie fantastike, një ngazëllim i paparë, dashuri e pastërt për vendin- shumë zemër, plot mendje!

Vetëm 2 nga 21 të rinjtë nga Gjermania dhe Zvicra që i takova sot në Kuvendin e Republikës, kanë lindur në Kosovë, të tjerët në vendet ku janë duke jetuar. Të gjithë pa përjashtim flisnin rrjedhshëm gjuhën shqipe, artikulonin mendimet dhe opinion e tyre me elegancë dhe qartësi!

Inxhinier, mësimdhënës, ekspert i/e ekonomisë, politikolog, antropolog, artist, biznes ishin disa nga profesionet që kishin zgjedhur për karrierën profesionale:

“E dua shumë Kosovën, punoj për të siguruar biletën për të ardhë në Kosovë çdo verë.”

“Është bërë cool me qenë shqiptar, të gjithë e bëjnë shqiponjën me duar në shenjë simpatie dhe përkrahje.- me mësu gjuhën shqipe është edhe punë krenarie”

“Të dy prindërit i kam në Gjermani, unë kam ardhë këtu sepse e dua Kosovën dhe ndjehemi shumë mirë. Baba ka shkruar poezi shqip e ne kemi mësuar për të recituar këto poezi”

“Ndonjëherë ndjehem keq kur më shikojnë ndryshe, nuk më pëlqen kur më thërrasin gërrnaq, ne e duam Kosovën, kemi shumë nevojë për mikpritje dhe ngrohtësi, kur vijmë këtu”

“Dua që kur ndërrohet ligji në Gjermani, të na krijohet mundësia të marrim shtetësinë e Kosovës dhe jo të vazhdojmë me shtetësi të dyte jugosllave/serbe siç na njef Gjermania nga koha para pavarësisë së Kosovës”

“Jam duke kryer shkenca politike, dua të kthehem e të kontribuoj për shtetin e prindërve.”

“Prindërit e mi e kanë sjellur edhe presën e barit nga Gjermania sepse ata duan të kthehen për të kaluar kohën e pensionit në vendin e tyre.”

Secili prej tyre gjatë prezantimit, përmendi vendin ku jeton dhe vendin e prejardhjes në Kosovë. Nga Kaçaniku, Vitija, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Podujeva, Prizreni, Bujanoci e Gostivari, Mitrovica, Lipjani, Theranda…

Biseduam për shumë gjëra, fenomene dhe për realitetin në Kosovë dhe mundësitë e sfidat. Me përulje u falënderova prindërve të tyre për punën e sakrificën që kanë bërë e po bëjnë për vendin. Ndërsa të rinjve u falënderova për kontributin e për vizitat dhe interesimin për vendin dhe rrënjët e tyre. Ne nuk ju dalim dot hakut asnjërit nga diaspora dhe sidomos duhet hapur zemrën, krahët dhe dyert për mërgatën tonë!

U bëj thirrje publike ambasadorëve dhe konsujve të Republikës, që t’ju dalin në përkrahje dhe ndihmë sa herë që kanë nevojë kësaj gjenerate që po përgatitet për të marrë stafetën e kontributit për Republikën dhe Kombin tonë!

Marketing