Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha sa i përket Gjermanisë, të gjitha kriteret për vizat, Kosova i ka përmbushur.

Marketing

Sarrazin tha se deri më tash nuk ka pasur asnjë takim të përbashkët me tre emisarët e tjerë, atë amerikan Gabriel Escobar, britanik Stuart Peach dhe emisrain e BE-së, Miroslav Lajçak.

“Kam pasur biseda telefonike me z. Miroslav Lajçak, dhe kolegu tjetër më ka ftuar të vizitoj Londrën, e gjithashtu do të shkoj në Washington sa më shpejt të jetë e mundur për të qenë në kontakt dhe për të bashkëpunuar”, tha Sarazin.

“Aq sa e di deri më tani, një takim i përbashkët nuk është planifikuar, por të shohim se çfarë do të mdodhë”, tha emisari gjerman.

Manuel Sarrazin e ka marrë këtë detyrë, në mesin e këtij shkurti, detyrë që nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane.

Megjithatë, ai tha se Kosova ka qenë temë edhe në koalicionin e sapokrijuar në Gjermani dhe ne mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën dhe Gjermania ka qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje.

“Sa i përket Gjermanisë, të gjitha kriteret për vizat, Kosova i ka përmbushur, kurse sa i përket Francës, nuk mund të jap ndonjë interpretim në emër të tyre”, tha ai për RTK.

Sa i përket dialogut, Sarazin u shpreh se është shumë e rëndësishme të kemi edhe proces të dialogut të suksesshëm.

I pyetur nëse tani është koha e duhur për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës, i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, deklaron se aplikimi për rezultat të suksesshëm nuk do të ishte veprim i mirë për Kosovë.

“Sidoqoftë, nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte përfitues vendi në tërësi, por edhe qytetarët, përfshirë edhe minoritetet”.

Sarrazin deklaroi se aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje tash për tash për një zgjidhje të përhershme sa i përket targave të automjeteve mes Kosovës e Serbisë.

Diplomati gjerman shprehu gjithashtu dyshimet e tij sa i përket paralajmërimeve të Kosovës për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, duhet rikujtuar se janë pesë vende anëtare që ende nuk e njohin pavarësinë”, tha Sarrazin.

Marketing