Bashkimi Evropian tha se është i “zhgënjyer” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për mosshtyrjen e afatit për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe konvertimin e tyre në targat RKS – Republika e Kosovës.

Marketing

“Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur [këshilla e partnerëve ndërkombëtarë]”, thuhet në reagimin e BE-së.

“Derisa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët”.

“Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit [të targave], i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni”, u tha në komunikatën e BE-së.

BE tha se është e domosdoshme ruajtja e qetësisë dhe u bëri thirrje palëve që “të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës”.

“Ne presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut”, tha blloku evropian.

Një ditë më parë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se janë të “zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”.

SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e BE-së që Kosova ta shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj, duke përsëritur qëndrimin e mëhershëm se Kosova ka të drejtë në vendimin e saj.

SHBA-ja tha se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por shtoi se “zgjatja e afatit do të ishte në interes që të arrihej përparim në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”.

Çka parashihte marrëveshja e vitit 2016?

Marrëveshja e vitit 2016 mbi implementimin e asaj të 2011 për lëvizjen e lirë parashihte se regjistrimi i të gjitha automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia në targa të Kosovës (“KS”/”RKS”) të niste më 15 janar 2017 dhe të zgjaste 12 muaj, “pas së cilës dy palët do ta rishqyrtonin çështjen me ndërmjetësimin e BE-së”.

E njëjta marrëveshje parashihte që Kosova të zgjaste vlefshmërinë e targave “KS” për pesë vjet (targa neutral), ”pas së cilës të dy palët do ta rishqyrtonjn çështjen (me ndërmjetësimin e BE-së nëse është e nevojshme)”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në vitin 2020 anuloi Udhëzimin administrativ për regjistrimin e automjeteve me targa KS, në mënyrë që ato të mos lëshoheshin më nga shtatori i vitit 2021. Këto targa tashmë janë jasht përdorimit në Kosovë.

Çka vendosi Qeveria e Kosovës?

Qeveria e Kosovës shpalosi të premten planin për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë më 28 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 29 tetor se vendimi i Kosovës lidhur me targat “është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit” dhe sipas tij, këtë e kanë “konfirmuar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Paraprakisht, vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e targave thoshte se kjo mund të bëhej deri më 31 tetor. Ndërkaq, politikanët serbë në Kosovë dhe Serbi paralajmëruan bllokada në veriun, nëse autoritetet e Prishtinës do të konfiskonin targat dhe makinat e serbëve pas kësaj date.

Besohet se afër 10.000 targa me akronime serbe – sikurse KM, PZ, PR, e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia.

Marketing