Aty mund të gjesh gjithçka për të blerë, mjafton të kesh para dhe lidhjet e duhura. Nuk bëhet fjalë për një treg mallrash, por për një burg. Madje burgun më të madh në Filipine, ku autoritetet kryejnë herë pas here mësymje për të sekuestruar sendet e paligjshme.

Marketing

Në operacionin e fundit, gjërat e gjetura aty ishin ndër më të çuditshmet, raporton “The Guardian”. Dhjetëra mijëra mallra të kontrabanduara u identifikuan dhe sekuestruan në burgun “Bilibid”, mes të cilave edhe armë vdekjeprurëse, alkool, drogë, dhe letra bixhozi. Gjithashtu u sekuestruan edhe kuaj, fazanë dhe pitonë.

Inspektimi u nis pas vrasjes se gazetarit vendas Percival Mabasa, i cili, sipas policisë, u ekzekutua me urdhër të shefit të burgut, Gerald Bantag. Ky i fundit i mohon akuzat dhe ende nuk është ngritur padi zyrtare ndaj tij, por sidoqoftë kaq ka mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e shtetit ndaj burgut.

Në Filipine burgjet shquhen për “fole” korrupsioni. Muajin e kaluar, katër japonezë u arrestuan pasi u akuzuan se po orkestronin një seri mashtrimesh dhe grabitjesh në vendlindjen e tyre, edhe pse ndodheshin brenda një qendre për mbajtjen e emigrantëve në Filipine.

Në operacione të ngjashme të mëparshme, si një në vitin 2014, autoritetet zbuluan se brenda burgut ishin ndërtuar vila luksoze, ndërsa të burgosurve të zgjedhur iu ofroheshin jakuzi, televizorë, balerina, lodra seksi dhe droga. Madje një i burgosur, i cili konsiderohej si bosi i një bande, u gjet se kishte ndërtuar brenda vilës edhe një studio regjistrimi, ku krijonte këngë dashurie, me të cilat botoi edhe një album të shitur në 15 mijë kopje.

Burgu “Bilibid”, ndër më të mëdhenjtë në botë, mban 29 mijë të burgosur, edhe pse ka vend vetëm për 6000. “Në një qeli ku mund të qëndrojnë 10 vete, aty gjen 100”, thotë për “The Guardian” Raymund Narag, profesor i kriminologjisë në “Southern Illinois University”.

Për të parandaluar rrëmujat, është krijuar një hierarki edhe mes të burgosurve, të cilët lejohen të marrin mallra dhe para nga jashtë, çka ka bërë që të lulëzojë tregtia.

Por kjo situatë nuk vlen për të gjithë. Në një raport zyrtar të botuar në vitin 2019 thuhej se rreth 5200 të burgosur vdesin çdo vit për shkak të sëmundjeve, mbipopullimit dhe dhunës. Për shkak të këtyre kushteve, administrata e re, e Presidentit Marcos, i cili mori pushtetin në korrik 2022, ka liruar deri tani mbi 4000 të burgosur.

Marketing