Kina ka hyrë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit me 30 avionë, duke përfshirë 20 gjuajtës, thanë autoritetet e Tajvanit.

Marketing

Ky është inkursioni më i madh që nga 23 janari, kur 39 avionë hynë në të ashtuquajturën “zona e identifikimit të mbrojtjes ajrore” (ADIZ) të atij ishulli.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi mbrëmë se për shkak të ndërhyrjes së avionëve kinezë, ata ngritën aviacionin e tyre dhe aktivizuan sistemin raketor të mbrojtjes ajrore për të monitoruar aktivitetet kineze.

Vitet e fundit, Pekini ka filluar inkursionet në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit për të treguar pakënaqësi me Taipein dhe politikën e tij për të forcuar pavarësinë dhe për të mbajtur presionin mbi aviacionin e tij të vjetëruar.

Tajvani jeton nën kërcënimin e vazhdueshëm të pushtimit kinez. Pekini e konsideron territorin të vetin dhe ka premtuar ta kthejë atë, nëse është e nevojshme me forcë.

Shtetet e Bashkuara akuzuan Kinën javën e kaluar për rritjen e tensioneve mbi Tajvanin dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përmendi në mënyrë specifike sulmet ajrore, të cilat ai tha se ishin një shembull i “retorikës dhe aktiviteteve gjithnjë e më provokuese të Kinës”.

Disa ditë më parë, presidenti amerikan Joe Biden kishte dhënë garanci se Uashingtoni ishte gati të mbronte ushtarakisht Tajvanin në rast të një sulmi nga Kina. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë më vonë theksoi se politika e saj e “paqartësisë strategjike” ndaj Tajvanit mbetet e pandryshuar, transmeton sb.

Zona Adiz e Tajvanit është shumë më e gjerë se hapësira e saj ajrore dhe në disa vende mbivendoset me të njëjtën zonë të Kinës.

Tajvani regjistroi një rekord 969 sulmesh ajrore kineze vitin e kaluar, dy herë më shumë se 380 të regjistruara në vitin 2020.

Në vetëm një ditë, 4 tetor 2021, 56 avionë hynë në zonën ajrore të Tajvanit dhe 196 në të gjithë muajin tetor, që fillon me festën kombëtare kineze.

Tajvani ka regjistruar 465 inkursione në zonën ajrore që nga fillimi i vitit, që është pothuajse 50 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Foto: Pixabay / Ilustrim

Marketing