Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq kanë mbërritur në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev.

Marketing

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministrat Dritan Abazoviq dhe Edi Rama shfaqen të rrethuar nga forca të shumta të sigurisë teksa vizitojnë qytetin e Borodiankas në afërsi të Kievit.

“Menjëherë pas mbërritjes sonë, vizituam qytetin e Borodiankas, një qytet i shkatërruar në fillim të pushtimit. Jemi dëshmitarë të shkatërrimit të shkaktuar nga lufta. Ne lutemi për paqe së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe i qëndrojmë pranë qytetarëve të Ukrainës,” shkruhet në postimin e Abazoviq në Twitter. transmeton REL.

Në një postim tjetër në Twitter, kryeministrat e dy shteteve të Ballkanit shihen duke vizituar edhe qytetin e Irpinit.

“Ne vizituam qytetin Irpin, ku u shkatërruan 1100 familje. Shumica e qytetarëve u larguan nga shtëpitë e tyre, infrastruktura u rrënua …Ne simpatizojmë Ukrainën për humbjen e shumë jetëve dhe vuajtjeve që po kalojnë prej muajsh. Paqja është e paçmueshme”, shkruan Abazoviq

Abazoviq dhe Rama janë liderët e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që zyrtarisht e vizitojnë Ukrainën, e cila po përballet me agresion ushtarak nga Federata ruse që nga 24 shkurti.

Ata gjatë ditës do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar më 12 qershor se kreu i saj, Abazoviq, ka pranuar ftesën e Zelenskyt.

Ukraina ndodhet nën pushtimin e Rusisë qysh më 24 shkurt. Aktualisht, luftimet janë të përqendruara në pjesën lindore të këtij vendi.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin, duke e ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike. Ukrainën, ndërkaq, është duke e ndihmuar me armatim.

Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka mbajtur një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, më 3 maj. Duke folur përmes video-lidhjes, ai ka kërkuar nga ky vend që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.

Marketing