Një 38-vjeçar shqiptar është dënuar me 8 vjet burg për trafikim të qenieve njerëzore.

Marketing

Luan Braha, pronar i një prej lavazheve me emrin “Bosi” në Britaninë e Madhe tentoi të trafikojë emigrantë shqiptarë nga Belgjika për në Britani nëpërmjet transportit me kamion.

Në kamion ndodheshin edhe fëmijë të cilët Braha i drogonte në mënyrë që të ishin të qetë përgjatë udhëtimit.

Ai përdori mjediset e lavazhit të tij në Staffordshire për të hartuar planin e tij të trafikimit të emigrantëve shqiptarë.

38-vjeçari nga Maqedonia e Veriut, donte të sillte deri në 200 emigrantë në Britaninë e madhe duke i ngjeshur në pjesën e pasme të kamionëve, duke paguar më shumë se 5 mijë paund për udhëtimin.

Planet e tij dështuan kur hetuesit nga Njësia Rajonale e Krimit të Organizuar të West Midlands (ROCU) kuptuan se ai ishte organizatori i trafikimit të emigrantëve dhe më pas Braha u arrestua në lavazhin e tij edhe pse ai mohoi akuzat se ishte ai që po merrte emigrantët.

Sipas raportimeve nga mediat angleze, Braha përdori lavzhin e tij për të krijuar njohje me elementë kriminalë në mënyrë që të ekzekutonte planin e tij për trafikimin e emigrantëve. Policia i vendosi përgjues duke zbardhur bisedat e Brahas për trafikimin e emigrantëve.

“Ishte e qartë se Braha ishte organizatori kryesor dhe po bënte haptazi marrëveshje për të kontrabanduar njerëz në Britaninë e Madhe kundrejt pagesës pa marrë parasysh sigurinë e tyre”, shkruhet në dosjen e prokurorisë.  Gjykata e dënoi shqiptarin Luan Braha me 8 vjet burg.

Marketing