Pasi çmimet e derivateve në vend arritën në nivel rekord, ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Marketing

Nga kjo Ministri kanë thënë se janë duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës “që do të mbrojnë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”, raporton Express.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.

Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Sipas MINT’, vendimarrja pritet të ndodhë shpejt. Thonë se drafti tashmë është gati dhe se po punohet që të procedohet sa më shpejt për miratim në Qeveri.

“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”, ka njoftuar Ministria.

Çmimi i naftës në Kosovë po vazhdon të rritet nga dita në ditë. Sot një litër naftë në shumë prej pompave të derivateve po kushton 1.82 euro.

Përveç naftës, është shtrenjtuar edhe çmimi i benzinës, i cili sot ka arritur në 1.84 euro.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani dje ka deklaruar për Telegrafin se këto çmime janë të larta për gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Rritja e çmimit të naftës nisi që nga pushtimi rus i Ukrainës, pas të cilit zhvillim Perëndimi ndërmori sanksione ndaj Rusisë, një prej furnizuesve më të mëdhenj të Evropës me naftë.

Foto: Ilustrim

Marketing