Caritasi Zviceran ka reaguar pasi u përmend si palë në një aferë korruptive, ku sipas PDK-së është e përfshirë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla si dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.

Marketing

Sipas PDK-së, fjala është për një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Damkës dhe Caritas-it zviceran, në bazë të së cilës buxheti i shtetit shpenzohet kundërligjshëm në shumën prej 1 milion e 40 mijë euro.

“Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schëarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove”, kanë thënë nga PDK para pak ditësh.

E Caritas në një komunikatë për media nuk ka folur konkretisht për akuzat e bëra nga PDK, por se ka treguar qëllimin e ekzistimit të kësaj organizate si dhe punët e saj.

“Me këtë deklaratë duam të sqarojmë se Caritas Zvicër është një shoqatë e pavarur, ndërkombëtare me seli në Lucern/Zvicër, ne jemi anëtar i Rrjetit ndërkombëtar Caritas. Caritas i Zvicrës pranon rreptësisht parimet humanitare ndërkombëtare si humanizmi, neutraliteti, paanshmëria dhe pavarësia. Qëllimi kryesor i Caritas-it të Zvicrës është luftimi dhe zhdukja e varfërisë. Caritas Zvicër ofron ndihmë emergjente në fatkeqësi dhe është i përfshirë në mënyrë aktive në shumë programe në mbarë botën”, thuhet në reagim.

“Me programet e tij në bashkëpunimin zhvillimor, Caritas Zvicër mbështet 20 vende në fushën e të ardhurave, ndryshimeve klimatike dhe migrimit. Kosova është një nga vendet me fokus. Aktualisht, Caritas Zvicër punon në bazë të Strategjisë së Bashkëpunimit me Kosovën 2021 – 2025. Në Kosovë, dega e Caritas-it të Zvicrës është e regjistruar si OJQ ndërkombëtare që nga viti 1999. Gjatë 22 viteve të ndihmës sonë për Kosovën, Caritas Zvicër ka arritur shumë rezultate, siç është mbështetja në procesin e rindërtimit të Kosovës dhe mundësimi i njerëzve që të kthehen në shtëpitë e tyre. Në të njëjtën kohë kemi përkrahur shumë kosovarë në Zvicër”, thuhet tutje në reagimin e Caritas.

Tutje, kjo organizatë ka thënë se financimet i merr me shumicë nga donatëorët ndërkombëtarë.

“Caritas Zvicër aktualisht është i angazhuar në mënyrë aktive në fushat e të ardhurave, migrimit dhe ndryshimeve klimatike në Kosovë. Ne marrim financime me shumicë nga donatorët ndërkombëtarë për të arritur këto rezultate. Ne vlerësojmë që Kosova – në nivel qendror dhe komunal – kontribuon në këto projekte të financuara ndërkombëtarisht për një ndikim më të madh. Caritas Zvicër operon sipas standardeve më të larta të cilësisë, duke përfshirë qeverisjen, transparencën dhe pajtueshmërinë, dhe zbaton programin e tij të bashkëpunimit ndërkombëtar me një nivel të lartë profesionalizmi dhe efikasiteti. Jemi të bindur se programi i Kosovës është i dizajnuar mirë dhe i përshtatur sipas nevojave të popullatës kosovare”, ka thënë kjo organizatë në një reagim publik.

Ndryshe, sipas PDK-së, Ministria e Zhvillimit Rajonal, jo vetëm që nuk ka autorizim ligjor, por është shprehimisht e ndaluar me legjislacionin në fuqi që shpenzimi i buxhetit shtetëror të bëhet në mënyrën siç është vepruar në këtë proces, e mbi të gjitha, të nënshkruhet marrëveshje për ndarje fondesh publike me një Organizatë Joqeveritare, pa pasur shpallje publike e pa iu nënshtruar një gjë e tillë kritereve për çfarë shteti ka shpallur si interes me atë shpallje.

“Por pikërisht mbi këtë bazë, Znj. Donika Gërvalla – Schëarz, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më datë 06 gusht 2021, i ka nënshkruar letrën përmes së cilës ministrit z. Damka i’u ka dhënë pëlqimi për nënshkrimin e këtij Memorandumi të Bashkëpunimit. Pra, ky Memorandum është nënshkruar në kundërshtim të plotë me ligjin, për dy arsye kryesore: Së pari, është nënshkruar me një OJQ që nuk është subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare. Së dyti, e njëjta përmban obligime financiare mbi 1 milion euro për qeverinë nga buxheti i taksapaguesve të Kosovës.”, ka thënë deputetja Ariana Musliu-Shoshi.

Në lidhje me këtë çështje kanë nisur edhe hetimet.

Marketing