Parashikimet për ditët e zymta që po e presin ekonominë botërore, nuk pushojnë së mbushuri mediet ndërkombëtare. Corona, lufta në Ukrainë e inflacioni, janë ndër shkaqet e akceptuara nga ekonomistët, që ndikuan ashpërsisht në rrjedhat e fundit të zhvillimeve ekonomike në botë, që karakterizohen me stagnim, ulje të ndieshme të parametrave zhvillimor dhe kthim prapa te shumë shtete të botës, edhe sosh të fuqishme ekonomikisht dhe financiarisht.

Marketing

Në këtë kontekst, Fondi Monetar Ndërkombëtar në sfondin e shumë krizave, sheh rreziqe të mëdha për ekonominë botërore. Një e treta e ekomonisë botërore mund të bjerë në recesion deri në vitin 2023, thuhet në parashikimin e ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Parashikimi është më pesimist sa nuk ku të shkojë më përtej, më tronditësi në rreth 20 vjetët e fundit – me përjashtim të parashikimeve gjatë pandemisë dhe krizës botërore financiare. Si arsye kryesore, FMN përmend rritjen e vrullshme të çmimeve pas sulmit rus ndaj Ukrainës, gjë që ka kufizuar dukshëm aftësinë blerëse. Ekonomia botërore ndodhet përpara sfidash gjigante, sepse inflacioni është më i lartë nga sa mendohej, e edhe Kina po e humbet aftësinë blerëse.

“Më e keqja pritet të vijë dhe shumë njerëz më 2023 do të kenë ndijesinë e një recesioni”, transmetojnë mediet ndërkombëtare -një parashikim të zymtë të një ekonomisti të FMN-së.

Tashmë, duke analizuar rrjedhën evidente të zhvillimeve ekonomike në botë, tashmë FMN-ja e ka ulur sërish parashikimin për zhvillimin e pritshëm ekonomik në vitin 2023. Sipas raportit të fundit të këtij institucioni prestigjioz financiar ndërkombëtar, ekonomia botërore do të rritet me vetëm 2, 7 për qind, derisa në korrik parashihej kjo rritje 2,9 për qind. Për vitin në vazhdim, 2022, llogaritet një plus prej 3, 2 për qind. Kundrejt vitit 2021 me një rritje 6,0 për qind, kuota aktuale është e zbehtë.

Sipas analistëve të FMN-së, rajonet më të rëndësishme ekonomike në glob po dobësohen. Europa është veçanërisht e prekur nga lufta në Ukrainë. Çmimet e gazit që nga viti 2021 janë katërfishuar. Sipas medieve të ndryshme ndërkombëtare, në SHBA konsumi nuk po i jep më impulse si zakonisht ekonomisë dhe në Kinë kanë efekt negativ kufizimet prej Coronës si dhe tensionet në tregun e patundshmërive. Dobësimi i rritjes ekonomike në SHBA, Kinë dhe në Eurozonë, sipas FMN-së, ka pasoja të ndjeshme ndaj ekonomisë botërore.

FMN parashikon që inflacioni ndërkohë në shumë vende është në nivelin më të lartë prej disa dekadash dhe në fund të këtij viti (2022-tës) pritet të arrijë kulmin. Ndërkohë, ai do të vazhdojë të mbetet në nivel dukshëm të lartë. Në mbarë botën, sipas FMN-së, çmimet e konsumit do të rriten me 8,8 për qind dhe në 2023 me rreth 6, 5 për qind. Kësisoj parashikimet e deritanishme sërish do të korrigjohen me shifra në rritje. Më 2024 pritet një rritje e çmimeve me 4,1 për qind. Vendet në ekspansion dhe ato në zhvillim, e sidomos vendet e varfëra do të preken më rëndë se vendet e industrializuara.

Lufta në lindje të Evropës ka ndikuar në rritje të nivelit të inflacionit dhe rritje globale të çmimeve, duke detyruar kështu Bankën Qendrore Evropiane që të rrisë normat e interesit për të stabilizuar situatën ekonomike. Në fokus janë aktualisht edhe bankat e rezervave, që së fundi po përpiqen t’i rrisin ndjeshëm interesat për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm të çmimeve. Sipas FMN-së kjo politikë mund të ketë pasoja, sepse rritja e interesave mund t’i zë frymën rritjes ekonomike, ndërsa ngurrimi për rritjen e interesave nuk mund ta frenojë inflacionin.

Gjermania dhe Italia hë për hë, si të vetme, do të rrëshqasin në recesion vitin e ardhshëm, duke u bërë ekonomitë e para të avancuara që do të tkurren pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, është thënë në parashikimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Gjermania – ekonomia më e madhe në Evropë – e ka paguar shtrenjtë varësinë në gazin e Rusisë, pasi kjo e fundit ka zvogëluar dukshëm furnizimet në Evropë. Ekonomia gjermane pritet të tkurret për 0.3 për qind më 2023, ka thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar në përditësimin e saj të fundit.

Por, ku qëndron Kosova skajshmërisht e varfër, krahasuar me shtetet e përmendura në këtë tekst, në këto parashikime të zymta të FMN-së?

Kosova, deshëm s’deshëm ta pranojmë, ka kohë që ka ngecje evidente të zhvillimit ekonomik. Ka ngecje, ose ka fare pak investime, ka investime të jashtme sa për të thënë, ka mungesë të energjisë si pasojë e mungesës së kapaciteteteve të bollshme prodhuese dhe stabilimenteve aktuale të prodhimit të rrymës të stërvjetëruara dhe të amortizuara skajshmërisht, ka mbi gjysmën e minierave të plum-zinkut dhe të mineraleve të tjera jashtë procesit të punës, ka inflacion në nivel rekord, ka varfëri, ka shifra enorme të të papunëve, ka migrim tronditës të popullsisë, ka ecuri jashtëkontrollit të ngritjes enorme të çmimeve, ka probleme shpërthyese sociale etj etj.

Por, Kosova ka ende diasporë të fuqishme dhe potente financiarisht dhe akoma të ndërlidhur emocionalisht me vendlindjen, ka edhe sektorin goxha të efektshëm të ndërtimtarisë, i cili njëkohësisht është edhe diktueshëm i fortë financiarisht. Prandaj, është real edhe konstatimi i Bankës Botërore për ngadalësimin e rritjes ekonomike të Kosovës në 3.1 për qind.

“Pas një ngadalësimi të investimeve dhe konsumit privat, rritja reale e prodhimit të brendshëm bruto të Kosovës për vitin 2022 pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind”, ka vlerësuar institucioni prestigjioz financiar ndërkombëtar këto ditë në raportin “Mbrojtja sociale për rimkëmbje, në kontekstin aktual”.

Pavarësisht deklarimeve të kryeministrit Kurti se për një vit e gjysmë vendi ka shënuar rritjen historike ekonomike, dhe pa pretenduar për t’i konetstuar shifrat e Kurtit që flasin për rritje ekonomike, Kosova është vend i varfër dhe potencialisht i rrezikuar nga recesioni i pritshëm për të ndodhur në shumë vende të botës. Është më e varfëra në rajon. Vetëm Shqipëria është shumë pranë, madje thuaja ngjitas, për nga varfëria.

Më konkretisht, edhe sipas të dhënave për renditjen e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022-ën, të publikuara në javën e parë të këtij muaji, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”.

“Kemi rritjen ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 për qind, ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti kemi 4.9 për qind të bruto produktit vendor”, tha këto ditë Kurti.

“Së pari me 1 vit e gjysmë rritje ekonomike dhe qeverisje anti-korrupsion, qeverisje socialdemokrate me stabilitet institucional, kemi rikthyer sistemin e financave publike në binarë duke ulur borxhin publik kundrejt bruto produktit vendor për 27 për qind – kjo dëshmon përgjegjshmëri për paranë publike. Kemi ofruar mbi 750 milionë euro mbështetje për qytetarët dhe bizneset për periudhën pas pandemike, krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve”, tha tutje kryeministri.

Por, sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Të dhënat më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se vetëm deri në fund të muajit qershor të këtij viti, kanë qenë të regjistruara gjithsej 25 mijë e 444 familje në skemën e ndihmës sociale, me gjithsej 100 mijë e 395 anëtarë.

Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind. Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 120 mijë janë të papunë.

Gjithnjë sipas statistikave, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë. Përkundër këtyre fakteve që flasin për varfërinë e madhe në Kosovë, çmimet e të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, vezët, sheqeri etj), përditë po shënojnë ngritje të reja.

Kosova tashmë garon goxha fortë me shtetet e fuqishme financiare sa i përket çmimeve dhe ato janë të përafërta, madje edhe përtej çmimeve të shteteve të fuqishme të botës. Si pasojë e ngritjes së egër të çmimeve, inflacioni aktualisht ka arrirtur diku rreth 13-14 për qind. Dhe, zyrtarët e autoriteteteve zhvillimore duhet t’i kenë gjithnjë në vëmendje këto statistika, si dhe paralajmërimet e shumta për ditët e zymta që i presin shumë shtete të botës. Kosova e vogël edhe për nga territori, dhe për nga numri i popullsisë në rrethanat e krizave që kanë përfshirë botën, duhet të preokupohet shumë më shumë, më seriozisht, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e mundshme për t’u përballë me ditët e vështira të paralajmëruara, edhe me recesionin që doemos po na pret. Gjithnjë ka mënyra dhe rrugë për t’u përballur me sfidat, qofshin ato edhe kriza zhvillimore. Duhet kërkuar dhe duhet gjetur ato. Pse Kosova të jetë gjithnjë e fundit në marrjen e masave të domosdoshme për të zbutur së paku pasojat e shpërthimit të egër të ngritjës së çmimeve, pse të jetë prijëse në ngecjen e investimeve kapitale, të investimeve të jashtme, pse të prijë vazhdimisht me numrin e migrimeve, dhe pse të jemi të fundit në rezultatet e arsimimit të popullsisë… /Buletini Ekonomik

Marketing