Përveç remitencave që sjellin në Kosovë, mërgimtarët po shihen edhe si një potencial i madh votash nga partitë politike në Kosovë. Për këtë, politikanëve, nga thuajse secila parti, iu desh herë pas here edhe të shkonin drejt vendeve perëndimore ku jetojnë më shumë kosovarë. Por, me ardhjen e tyre këtë verë në Kosovë, pozitë dhe opozitë, iu kanë hapur atyre dyert e institucioneve dhe partive të tyre.

Marketing

Madje, kryeministri Albin Kurti vendosi që të dalë edhe në aeroport e t’i presë një grumbull mërgimtarësh, me të cilët përveçse se shkrepi fotografi, u kujdes që t’ua tregojë edhe disa nga të mirat që mund t’i gjejnë në vendlindje.

Derisa në mbledhje të Qeverisë ai njoftoi se ka ndarë edhe para për programin e tij qeverisës ndaj mërgatës. 

“Përfshirja aktive e mërgatës në politikëbërje dhe forcimi i lidhjeve të saj me Kosovën, është qëllimi i Programit për Diplomaci Qytetare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për realizimin e këtij programi ndamë 90 mijë euro”.

Kjo Ministri sot ka vendosur për një organizim tjetër për mërgatën.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës sot e fillon projektin “Karvani i Diasporës”, që i dedikohet  mërgatës. Karvani nis rrugëtimin nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, me pikën e parë të ndaljes në qytetin e Gjilanit”.

Ditë më parë dyert e Kuvendit të Kosovës për mërgimtarët i hapi edhe Glauk Konjufca. Ai organizoi një “seancë” ku mërgimtarët u ulën në vendet e deputetëve dhe patën rastin edhe të flasin.

Por, këtë mikpritje s’po e ofron vetëm pozita.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në selinë e saj qendrore, po iu bën thirrje mërgimtarëve që gjenden në Kosovë të shkojnë dhe të takohen me kreun e këtij subjekti, si dhe zyrtarë të tjerë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës organizon takim pritës për mërgimtarët tanë që ndodhen në Kosovë. Sot, më 27 korrik, nga ora 18:00, në Selinë Qendrore të LDK-së, deputetë, anëtarë të Kryesisë, kryetarë komunash e struktura të tjera partiake, do të presin në bashkëbisedim mërgimtarët tanë, familjet e tyre e secilin tjetër me interesim. Në takim, prezent do të jetë dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku”.

Derisa nga partia e Memli Krasniqit, mërgimtarët i kanë dërguar edhe në takime me kryetarë komunash për të parë potencialin dhe mundësinë e investimeve. Deputeti i kësaj partie, Elmi Reçica, ishte ngarkuar me këtë punë, duke i përcjellë ata në takime.

Ndërkaq, më herët PDK kishte caktuar “Javën e Mërgimtarëve” ku pritën në selinë qendrore të gjithë ata mërgimtarë të interesuar.

“Të dashur bashkatdhetarë, Partia Demokratike e Kosovës e ka caktuar ‘Javën e Mërgatës’ me dyer të hapura për pritjen tuaj, kush dëshiron t’i vizitojë ambientet e Selisë Qendrore të PDK-së. Nga sot (18 korrik) e deri më 22 korrik, në zyrat e PDK-së, prej orës 09:00 deri në ora 17:00, ju presim së bashku me deputetët e PDK-së në Parlamentin e Kosovës dhe me anëtarët e Komisionit për Organizimin e PDK-së në mërgatë”, kishte njoftuar kryetari i partisë, Memli Krasniqi.

Me një angazhim të tillë u morën edhe deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti Besnik Tahiri u bë nikoqir në Kuvendin e Kosovës i disa prej mërgimtarëve, përfshirë edhe një shoqe të tij të klasës, për të cilën tha se në SHBA po përçon zërin e grave të dhunuara në Kosovë gjatë luftës.

“Kënaqësi të pres në Kuvendin e Kosovës, shoqen e klasës nga shkolla e mesme Teutën. Ajo, ishte në vizitë së bashku me vajzën Adea dhe djalin Rapin, që jetojnë në Neë York, Amerikë…Adea po lë dëshmi e trashëgimi në një Universitet prestigjioz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historinë e vuajtjeve, dhunimet e grave në luftën e Kosovës, si dhe pasqyron përpjekjen e viktimave për të kërkuar drejtësi”.

Edhe kolegët e Tahirit në Kuvend pritën mërgimtarë në një organizim që është bërë i përvitshëm nga institucioni më i lartë i vendit./Express

Marketing