Besa Kalaja, ka studiuar Letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka një numër tregimesh të botuara në gazeta e platform për kulturë, në Kosovës dhe Shqipëri. Njëri prej tregimeve i është botuar dhe përkthyer në disa gjuhë në BIBER, përmbledhje me tregime me autorë nga Ballkani Perëndimor. Ajo ka botuar dhe librin e parë me tregime, “Kur isha fëmijë u merrja erë mollëve”, prej të cilit, me lejen e autores, po i botojmë dy tregimet e mëposhtme.

Marketing

Shtëpia e tjetërkujt

Pas një jave, shiu u ndal e me të mu ndal edhe dhembja e kokës. Aq e rëndë ishte kjo dhembje, sa më dukej se edhe sytë më ishin qorruar, nuk shihja dot. Mu kujtua se fajin për dhembjen e kokës ia kisha lënë motit, po më gjasë nuk ishte kështu. Koka më kishte dhembur edhe para dy javësh pothuaj me të njëjtin intensitet e sipas të gjasave edhe më shumë kur temperaturat ishin të larta. Edhe atëherë pata thënë se koka po më dhembte nga i nxehti i madh. Ndihem më shumë se e lodhur, krejt e shkërmoqur dhe e dërrmuar, kam marrë një mbulesë goxha të trashë dhe po shoh televizor. Pak apo aspak të reja mësova nga TV-të, shumica e lajmeve më vijnë si vegime, thua se nuk do të arrij më ta kap realitetin. As të kthehem në të.

Lashë TV-në ndezur dhe u ktheva me shpinë për të marrë një sy gjumë. Asi gjumë të thellë, ndjellës, të bukur plot me ëndrra lëndinash me lule të bardha, të kuqe, të kaltra. Kot, asnjë nga këto. Gjumi nuk më mori, ëndrra nuk pashë asnjë, vetëm TV-në që pas tentativës sime të dështuar për gjumë, po transmetonte një emision për dikënd që kishte mbërritur në Mars, ishte një nga këta njerëzit e zakonshëm, i cili po përshkruante çfarë kishte parë atje. Nga ana tjetër e ekranit, e kapa veten duke menduar se si do të gjendesha po të shkoja atje. I çuditshëm ky mendim, pasi e dija mirë që s’do të shkoj kurrë në Mars, por as përtej kufijve, pasi ka kohë që kam menduar të dal jashtë vendit, por gjasat janë minimale. Prej kësaj situate, në të cilën më futën mendime të tilla, po më rrotullohej diçka në bark, si flutura që nuk më linin rehat. Bëra një hap drejt frigoriferit për të gjetur diçka që ta ushqeja trupin edhe pse qe besa më shumë se për të ushqyer të trupit kisha nevojë për ushqim të shpirtit.

Hapa frigoriferin, brenda kishte vetëm disa ushqime me afat të skaduar, të cilat fillova t’i mbledh që t’i gjuaj në kosh, por mu bë sikur diçka po lëvizte në dhomën e ditës. E mbylla frigoriferin pa marrë asgjë. Hyra në dhomën e ditës e ajo ishte ashtu siç e kisha lënë. Ashtu nëpër të, mu kujtua se nëpër shtëpi kishin mbetur të shpërndara edhe disa gjëra të qiraxhiut të mëparshëm. Më pati premtuar që do të më telefononte dhe më pastaj do të vinte t’i merrte ato, por as pas dhjetë ditësh që isha vendosur, ai nuk ishte bërë i gjallë.

Gjërat ishin shumë personale, pasta dhëmbësh, kremra, shamponë, të brendshme. Pothuaj të gjitha i kisha gjetur në dollapët e banjës. Nuk më kishte treguar nëse i kishte harruar apo i kishte lënë me qëllim, e për këtë arsye kisha një konsideratë e ende nuk ia kisha hedhur në plehra.

Kur e kuptova që asgjë nuk po më përmbushte më, u shtriva sërish. Nuk di si ktheva vështrimin, por nga dritarja mbrapa pashë se po ma bënte me dorë ish qiraxhiu. Më tha se kishte ardhur që para tri orësh, por pasi e kishte parë që po flija nuk kishte dashur të më shqetësonte.

Hyri krejt shkujdesur në shtëpi dhe më tha që nuk e kishte kuptuar se si njeriu mund të mbulohej me batanije në pik të verës. Më pyeti ngadalë se mos më kishte zënë gripi dhe kisha ethe.

Shqetësimi im nuk ishte i njëjtë me të tijin. E pyeta se ku kishte ndenjur për ato tri orë, pasi brenda tyre unë kisha dalë në oborr plot dy herë dhe nuk kisha parë asgjë.

Më tha që falë dritareve të dhomës që ishin deri në tokë, ai kishte mundur të vërente çdo lëvizje timen, që prej çastit kur isha ulur para televizorit, pastaj kur isha mbuluar dhe kisha provuar të fle e deri kur kisha hapur frigoriferin.

I hodhi një vështrim të hollësishëm dhomës duke parë me ngulm rreth e rrotull dhe ma bëri me dije se nuk po i pëlqente aspak që e kisha ndryshuar renditjen e orendive. Megjithatë, më tha ai, mund të më shërbente një kafe dhe u nis drejt kuzhinës, njëjtë sikur të ishte në shtëpinë e vet. E ndjeva dhembjen e kokës tek po më kthehej prapë me të njëjtin intensitet, ndaj nuk mu durua dhe i shkova mbrapa në kuzhinë. I thashë se nuk më pihej kafe e që gjërat e tij ia kisha bërë gati, mund t’i merrte dhe të shkonte. Pa ngurruar fare, ma afroi dorën te faqja, pastaj te flokët dhe po më tërhiqte drejt vetes. Kjo është kafja më e mirë që ke mundur të pish deri tani, më tha me një ton çuditërisht të sigurt e që nuk linte asnjë vend për diskutim. Duhet të dish një gjë, se askush nuk di ta bëjë kafen më mirë se unë. Largoi dorën prej flokëve të mi dhe e pashë tek shkonte drejt dhomës së ditës me kafet në duar. U ul në kolltuk.

Nuk mund ta fshihja habinë. Më kishte lënë pa mend, por me gjasë as që kishte ndërmend të ndalej. Eja ulu këtu, ma bëri me dorë, duke më treguar vendin që më kishte lënë afër vetës. Nuk shkova, i ktheva shpinën dhe dola në oborr për të marrë ajër të pastër pasi ashiqare kisha nevojë për të. Në fund të oborrit, vërejta një trup ftoni, gjysma e të cilit ishte tharë e gjysma tjetër ende kishte fruta. Shkova drejt ftonit mora dy copë, njërën prej tyre po e kafshoja me shumë kënaqësi. Nuk kishte pemë tjetër që e doja më shumë.

Ktheva kokën dhe pash ish- qiraxhiun tek ma bënte me dorë sikur donte të më thoshte që të hyja brenda se kafja po më ftohej. I thashë se nuk e doja kafen e as atë brenda shtëpisë sime. “Shtëpinë time”, po e theksoja që t’ia bëja me dije se ajo ishte e imja tashmë. Më mori për dore, u mundova t’i largohem, por nuk po më lëshonte. Ma vuri prapë dorën në faqe. Ma mori kokën, ma afroi drejt kokës së tij dhe po më tregonte se sa bukur kishte rregulluar shtepine tone.

Macja që ndryshoi ngjyrë të dielën

Me duar mbajtur për krevati, u ҁova. Rakia e mbrëmshme ma kishte marrë tërë energjinë e trupit. Po laja dhëmbët kur koka filloi të më kruhej keq, hyra dhe bëra një dush. Gjatë dushit e krova dhe e krova aq shumë kokën sa po më rridhte gjak. Mu desh që ta laja disi, por në disa fije floku më kishte mbetur e madje edhe tharë gjaku. Me gjasë e kisha kruar fort edhe natën. Nuk e ngacmova më pasi duart po më dridheshin nga inati. Që ta merrja veten me të mirë apo ndoshta edhe që ta ndëshkoja keq, shkova në kuzhinë dhe bëra një kafe të hidhët e të rëndë. Pa qenë fort i vëmendshëm po shikoja nga dritarja një mace që po ngjitej e zbriste në pemë. Aq zhdërvjelltë dhe aq shpejt sa nuk po arrija ta përcillja dot më me sy. Mbërriti një pikë kur nuk e dija më se a ishin lëvizjet e shpejta të maces apo mua po më merreshin mendtë. Zhdërvjelltësia e saj u bë një me marramendjen time. Hapa dritaren dhe i bërtita maces apo asaj që unë para pak çastesh besoja se ishte mace.

-Hej ti, i thashë, mos luaj me mua sepse po të zura do të të mbys me gurë.

Nuk u ndal, bile me bëhej se ajo po ngjitej e zbriste edhe më shpejt. Nuk mu durua, mbylla dritaren me vrull, xhami u thye, po vrapoja drejt derës. Në hyrje të shtëpisë nuk pashë asnjë gur me të cilin do të mund ta gjuaja. Për më keq, ajo u bë edhe më e shpejtë. Nuk ia dalloja më dot as ngjyrën… Sa isha brenda më dukej e bardhë, tani dukej krejt e hintë. Nuk ishte koha të mendoja për ngjyrën e saj, më duhej ta largoja sa më shpejt që të ishte e mundur, sa ende nuk më kishin lënë mendtë.

Shkova te fqinji, trokita fort në derë, ai doli i përgjumur.

-Çfarë ka ndodhur?, më pyeti krejt i shkujdesur. E pashë drejt e në fytyrë, në atë fytyrë që nuk më thoshte asgjë, as e njohur nuk më dukej madje dhe pothuaj u bëra gati ta pyes: po ju kush jeni? Ndoshta edhe do ta kisha bërë, por nuk arrita ta pyes, sepse ai me një shkujdesje të çuditshme më rroku nga krahu dhe më tha që kishte përgatitur kafe dhe sandviç dhe unë pa telashe mund të haja me të. As gruan nuk e kam këtu më tha, duke ma bërë me sy. U shtanga në çast, nuk reagova, thjesht iu nënshtrova i tëri atij. Më shërbeu kafen në një filxhan të bukur dhe sandviçët më tha që i ka bërë vetëm me perime sepse kohëve të fundit, i ishte tekur që të ushqehej shëndetshëm. Më tha edhe se në frigorifer kishte lloj-lloj ushqimesh, si p.sh mishra e këso gjërash, që mund t’ua jepte të tjerëve, pasi nuk i hante më. Gjithë ky kujdes tha se i vinte, pasi kohëve të fundit po lexonte artikuj e artikuj mbi shëndetin. Mua sikur po më rrotullohej diçka në bark dhe nuk kisha as nevojën më të vogël që ta dëgjoja, përkundër faktit që nuk më shpëtonte as edhe një detaj pa mu ngulitur në kokë.

Sa fillova ta marr veten dhe të kujtohesha për çka kisha shkuar tek ai, më bëri një pyetje të pavend.

– Ka goxha kohë që ajo më nuk po vjen te ti, pse?

Desha ta pyes cila është ajo, po koka nuk po më punonte.

– Ahaaa ajo. Ka gjetur një vend pune jashtë qytetit, i thashë. Sapo mendova se e nxora veten nga kjo situatë, ai më vuri dorën në krah dhe po më ngushëllonte. Dorën e kishte të fortë, të rëndë dhe me muskuj, mbuluar të tërën me tatuazhe. S’mund të ketë një njeri të dytë si unë që është mëshiruar nga një dorë kaq e vrazhdë.

Ha! Mos më shiko ashtu, më bërtiti sikur të donte të ma mbushte boshllëkun me sandviç. Nuk mundem i thashë me mundim, shumë gjëra edhe ato më të përditshmet po më ecin ters, më pështjellohen, ja si kjo macja sot. Më pyeti se çfarë kisha me macen, ma bëri me dije edhe se ajo e ka rrugën e saj e unë timen, madje më tha edhe se nuk e kuptonte se ku na bashkoheshin rrugët mua dhe asaj.

Prapë më shkeli syrin kur më tha kap gjeje një grua të bukur, se nuk e paskam vërejtur më parë që ti qenke edhe i hijshëm. Këtë pjesë nuk e kuptova a e tha me shaka, sepse s’më kujtohej kur për herë të fundit isha parë në pasqyrë për bukurinë time. Aty këqyresha vetëm kur frikësohesha se mos flokët më ishin çaraveshur apo kur më dilte ndonjë puçërr në fytyrë dhe nuk mund ta duroja apo edhe atëherë kur pasqyra qëllonte të ishte varur në ndonjë kënd që nuk mund ta shmangia, por e parakaloja me shpërfillje të plotë. E pashë drejt në sy, po zgërdhihej. Në një situatë të tillë, njeriu nuk mund ta dijë nëse tjetri e ka më të vërtetë apo po bën shaka me ty.

-Ja kështu, i thashë, sa për gruan mbeta, jo sot po nesër, ta shohim si do të shkojë puna me macen, pastaj i vjen radha edhe asaj pune, të premtoj se në baza ditore do të merrem me të.

Fytyra nga e qeshur iu vrenjt menjëherë, aq sa pata frikë prej tij.

-Unë e pata me qëllim të mirë, më tha, nuk kemi nevojë të bëjmë shaka me këto gjëra. Edhe pyetjen që ma kishte bërë pak më parë për atë gruan, më tha se ma kishte bërë shumë seriozisht, pasi ajo i kishte pëlqyer vërtet. Më tregoi edhe një gjë që mua nuk më pëlqeu aspak, për herë të parë mu duk se u bëra i vetëdijshëm për bukurinë e gruas që vinte te unë të shtunave mbrëma. Ai ma tha se e dinte orën e saktë dhe ditën kur ajo vinte dhe se asnjëherë nuk e humbi shansin që ta përcillte nga dritarja.

-Edhe dje ishte e shtunë. Prita në dritare, por ajo nuk erdhi. E lëshoi kokën në krahun tim, ma përkujtoi se nëse ndihesha keq mund të shkoja tek ai dhe se vetëm ai e dinte se çfarë mund të përjetonte një burrë kur humbet të shtunat e papërsëritshme . U mundova ta largoja nga vetja duke i thënë se unë nuk ndihesha keq dhe se ishte ai që tani ma përkujtoi që tek unë çdo të shtunë mbrëma vinte një grua.

E pyeta se mos kishte gurë në oborrin e tij. Qeshi si i marrë. Më pyeti për çfarë më duhen. I thashë se doja të trembja macen që po endej në pemë.

Pema ra në tokë, pas aq shumë herësh që i kisha rënë me sëpatë. Macja me nguli thonjtë në fytyrë.

Marketing