BE-ja po planifikon të vendosë sanksione ndaj Alina Kabaeva për të cilën përflitet se është e dashura e Vladimir Putinit. Sanksionet pritet ta godasin edhe mbështetësin e luftës së Putinit, kreun e Kishës Ortodokse Ruse Kirill.

Marketing

Mediumi britanik The Guardian duke u thirrur në burime të veta thotë se BE-ja ka propozuar që të vendosen sanksione ndaj Kabaeva, një ish-gjimnaziste olimpike.

Sanksionet pritet ta përfshijnë edhe kreun e Kishës Ortodokse Ruse, Kirill, një aleat i Kremlinit i cili e ka dhënë bekimin e tij për luftën në Ukrainë.

Kabaeva dhe Kirill janë dy nga dhjetëra njerëz që do të përballen me ndalim udhëtimi në BE dhe ngrirje të aseteve. Lista e sanksioneve tani përshin mbi një mijë rusë të fuqishëm.

Një gazetë e Moskës në vitin 2008 kishte raportuar se Putin ka divorcuar në mënyrë sekrete gruan e tij Lyudmila dhe kishte planifikuar të martohej me gjimnasten.

Sipas gazetës amerikane The Wall Street Journal, administrata amerikane e kishte lënë Kabaevën jashtë sanksioneve sepse sipas tyre Putin mund ta shihte atë si një sulm personal. Por Shtëpia e Bardhë e kishte mohuar raportimin duke insistuar se askush s’është i sigurt nga sanksionet.

ShBA-ja dhe BE-ja kanë sanksionuar fëmijët e Putinit, Maria Voronstova dhe Katerina Tikhonova.

Marketing