Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” që u mbajt më 7 dhe 8 qershor në Ohër, nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume.

Marketing

Kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, si dhe presidenti, Aleksandar Vuçiq, do të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin në sferën ekonomike, atë të arsimit, kulturës dhe turizmit.

Marrëveshjet, sipas tyre, do ta forcojnë edhe paqen dhe stabilitetin në rajon, pas agresionit rus në Ukrainë, për shkak të frikës nga ndikimi i ndonjë shteti tjetër, duke aluduar në Rusinë.

Marrëveshja e parë ka të bëjë me luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit. Marrëveshja thekson nevojën për punë të përbashkët për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tria vendet, transmeton REL.

Në tekstin e marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Memorandumi për bashkëpunim kulturor promovon shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.

Sipas memorandumit, shtetet angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës, financimin e projekteve kulturore dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.

Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, shtetet parashikojnë formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”.

Escobar: “Ballkani i Hapur” duhet të mbështetet nga të gjithë

Përmes një videolidhje pjesëmarrësve iu drejtua edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar, duke i dhënë mbështetje nismës së “Ballkanit të Hapur”.

“Do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të stabilizuar Ballkanin. SHBA-ja nuk e sheh Ballkanin si një pikë e problemeve nga e kaluara, por në prizmin e së ardhmes. SHBA-ja e përkrah nismën ‘Ballkani i Hapur’ sikur edhe të gjitha nismat tjera që promovojnë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe nëse ka sukses duhet të mbështeten nga të gjithë, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Escobar.

Edhe komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se Brukseli e mbështet nismën, si mundësi, që sipas tij do t’i ndryshojë sfidat me të cilat është përballur rajoni, por edhe si mundësi për përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit.

“Pjesëmarrjen time e shoh si ftesë që BE-ja të jetë pjesë e procesit. Nisma ‘Ballkani i Hapur’ nuk është vetëm e mirë, të gjithë e mbështesin, por është edhe si mundësi që rajoni ta ndryshojë realitetin dhe t’i ndryshojë sfidat, me të cilat po përballet qe shumë vjet, për të mos thënë dekada”.

“Mund të jetë edhe si mundësi për përjashtimin e rrugës drejt BE-së. Vlerësoj, nëse punën e bëjmë mirë, do të përshpejtohet integrimi ekonomik i rajonit por edhe integrimin real i rajonit në BE”, ka deklaruar Varhelyi.

Foto: REL

Marketing