Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Ëeidinger, tha se shteti i tij është investitori i katërt më i madh në Kosovë, e cila vazhdon edhe t’i mbështesë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe liberalizim të vizave.

Marketing

Këtë deklarim e bëri në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë, me ç’rast marrin pjesë 16 kompani nga Austria me kompani nga Kosova nga dhjetë sektorë të ndryshëm, me qëllim promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve të mëtejshme direkte nga kompanitë austriake në Kosovë.

“Forumi Ekonomik Kosovë-Austri përbën një manifestim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe shumë të ngushta në shumë fusha që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Me Austrinë që tashmë është investitori i katërt më i madh në Kosovë, Forumi Ekonomik do të forcojë më tej marrëdhëniet e biznesit ndërmjet ndërmarrjeve nga Austria dhe Kosova, duke krijuar kështu një situatë të favorshme për ekonomitë e të dy vendeve”, tha ai.

“Austria është investitori i katërt në Kosovë. Austria ka mbështetur aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe liberalizim të vizave. Austria kontribuon në gjithë stabilitetin e regjionit. Austria është partner më i rëndësishëm i UNICEF në Kosovë. Sot pasdite për bashkëpunim ekonomik do të zhvillohet sot”, tha ambasadori.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se synim i Qeverisë është përmirësimi i klimës së të bërit biznes.

“Ky zinxhir i integrimit është për rritjen e eksportit. Nën udhëheqjen e kryeministri Kurti jemi të përkushtuar të përmirësojmë klimën e bizneseve. Kosova është përmirësuar në 17 vende në indeksin e korrupsionit. Kjo konfirmon përkushtimin e qeverisë ndaj korrupsionit për zero tolerancë. Plani ynë qeveritar është ambicioz për të përmirësuar pjesën e politikave. Ajo çka ofron Kosova për kompani është më shumë fleksibilitet. Kosova ofron lokacion strategjik. Më i rëndësishmi është porti i Durrësit. Ne duhet të bashkëpunojmë më shumë dhe të sjellim më shumë biznese në vend. Me rëndësi për bizneset është ngarkesa e ulet tatimore”, tha ai.

“Ministria jonë është duke punuar me ministrinë e Ekonomisë dhe çështje dixhitale dhe aftësimit të edukimit profesional. Ministria ka departament të dixhitalizimit dhe do të bashkëpunojë me Odën Ekonomike. Oda Ekonomike do të fuqizohet si odë që mund të ofrojë aftësim profesional me bizneset. Jemi duke bashkëpunuar në praktika për aftësimin profesional në Kosovë. Për sistemin dual nevojiten kompanitë dhe shkollat në anën tjetër”, tha tutje Hajdari.

Kryesues për Ekonomi nga Austria, Franz Wessig, tha se është e domosdoshme bashkëpunimi i tillë ndërmjet dy vendeve, derisa shtoi se Austria vazhdon të jetë ndër sektorët më të rëndësishëm ekonomik e të energjisë në Kosovë.

“Pandemia dhe lufta në ukrainë na ka ndikuar të gjithëve dhe na ka treguar sa është e varur ekonomia jonë. Është e domosdoshme të punojmë me miq tanë. Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve janë shumë të fuqishme. Austria është ndër sektorët më të rëndësishëm ekonomik e të energjisë në Kosovë. Kur është fjala për tranzicion të gjelbërt, Austria mund të ofrojë shumë në hidrocentrale. Sektori i teknologjisë së gjelbërt në Austri është mbi 5 miliardë. Sektori i teknologjisë paraqet bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Austrisë”, tha ai.

Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, tha se transformimi digjital në sektorin publik e privat janë njëra ndër fushat për investim dhe partneritet ndërmjet Kosovës dhe kompanive austriake.

“Ndryshimet e para duhet të jenë sektori publik e privat. Transformimi digjital në sektorin publik e privat janë njëra nga fushat për investim dhe partneritet ndërmjet Kosovës dhe kompanive austriake. Duhet të kemi politika të qarta për t’u integruar në zinxhir të furnizimit global. Do të shohim kompani që vijnë nga Kina. E fundit ndryshimet duhet të ndodhin në sektorin e energjisë dhe duhet të jemi të gatshëm për këtë. Mesazhi im është të punojmë së bashku dhe të ndërtojmë aleanca strategjike”, tha Rukiqi.

Marketing