Fotografitë e qyteteve shqiptare, të bëra në vitin 1913 për projektin “Arkivi i planetit” të Albert Kahnit, janë dëshmi rrëqethëse e gjendjes së tyre pas pushtimit nga Serbia vetëm disa muaj më parë

Marketing

Dush Gashi

Shumë përdorues të rrjeteve shoqërore në internet edhe sot e kësaj dite shpërndajnë ca fotografi të Prishtinës e Prizrenit të vitit 1913. T’i shohësh qytetet tona dhe njerëzit e tyre të një kohe të perënduar, ende me petkun e Turqisë dhe atë me ngjyra deri sa pak kush e di se edhe në atë kohë janë bërë fare fotografi të tilla, sigurisht që paraqesin sensacion të madh.

Por, askush nuk është pyetur se në çfarë rrethanash janë bërë ato fotografi dhe çfarë ishte gjendja atë vit në viset shqiptare.

Me pak hulumtim në internet mund të mësohet se ato fotografi janë nga projekti i madh global i bankierit e filantropit Albert Kahn “Arkivi i planetit” ( Les Archives de la Planète), muzeu i të cilit ekziston edhe sot në Paris, ndërsa ka edhe një faqe të tij në internet.

Albert Kahn në vitin 1909 kishte udhëtuar me shoferin dhe fotografin e tij, Alfred Dutertre, në Japoni për punë, prej nga ishte kthyer me shumë fotografi të udhëtimit. Kjo e shtyu atë të fillonte projektin e mbledhjes së regjistrimit fotografik të të gjithë Tokës. Kishte emëruar Jean Brunhesin si drejtor të projektit dhe kishte dërguar fotografë në çdo kontinent për të regjistruar imazhe të planetit, duke përdorur mjetin e parë praktik për fotografinë me ngjyra, pllakën autokrome dhe kinematografinë e hershme. Midis viteve 1909 dhe 1931 ata mblodhën 72,000 fotografi me ngjyra dhe 183,000 metra film. Këto formojnë regjistrimin unik historik të 50 vendeve, të njohur si “Arkivi i Planetit”.

Vizioni i Albert Kahnit ishte se duke ofruar të kuptuarit më të mirë midis njerëzve dhe kulturave të ndryshme, bota mund të ishte më e qetë. Gjatë jetës së tij, ai ishte dëshmitar se si Evropa po e zbulonte dhe po e pushtonte botën. Kishte parë se si imperializmi i shpërbënte kulturat dhe po e riparonte botën ashtu siç donin ata, duke i përkufizuar njerëzit, mënyrat e tyre të jetesës dhe mendimet e tyre. Ai nuk donte të qëndronte aty dhe të dëshmonte se bota po vëhej në kornizë në një mënyrë të vetme. Ëndrra e tij ishte t’i afronte njerëzit më afër njëri-tjetrit, t’i bënte të lidheshin përsëri së bashku për të respektuar dallimet e tyre. Albert Kahn ishte ëndërrimtar që, megjithatë, i bëri gjërat të ndodhin.

Kur Auguste Léon, njëri prej shumë fotografëve të projektit të Kahnit i caktuar për Ballkanin erdhi në Kosovë dhe në vise tjera shqiptare, më sa duket në maj të vitit 1913, ka mundur të shohë se si vizioni i Albert Kahnit ishte thyer në mënyrën më të tmerrshme.

Prishtina ishte ende në ankthin e tmerreve ndër më të mëdhatë në historinë e saj, të cilat i kishte përjetuar vetëm disa muaj më parë. Raportet e kohës thonë se në Luftën Ballkanike, ushtria serbe kishte hyrë në Prishtinë më 22 tetor 1912. Shtëpitë shqiptare dhe turke u plaçkitën dhe u shkatërruan, si dhe u vranë gra e fëmijë. Një gazetar danez i vendosur në Shkup ka raportuar se fushata serbe në Prishtinë “kishte marrë karakterin e një masakrimi të tmerrshëm të popullsisë shqiptare”. Rreth 5,000 njerëz në Prishtinë janë vrarë në ditët e para të okupimit serb. Ngjarjet janë interpretuar si një përpjekje e hershme për të ndryshuar demografinë e rajonit. Kolonët serbë janë sjellë në qytet dhe kryeministri serb Nikola Pashiq ka blerë 1214 akra (491 ha) tokë. Prishtinasit që mbanin plis ishin në shënjestër të ushtrisë serbe; ata që mbanin fesin turk ishin të sigurt dhe çmimi i fesi u rrit shumë.

Prishtina e vitit 1913: Asnjë burrë me plis, ndërsa mes qytetarëve ka shumë ushtarë serbë

Në fotot e fotografit të Albert Kahnit nga Prishtina, plisat, të cilët vite më parë do të ishin gjëja më e rëndomtë në këtë qytet, tash thuaja se nuk shihen fare. Ato kështu bëhen dëshmi e trishtueshme e një vendi të pushtuar. Në fotografinë e kreut të këtij artikulli, e bërë në rrugën pranë xhamisë së madhe, e cila atëherë do të ketë qenë kryesorja në qytet, shohim vetëm ushtarakë të ngrefosur serbë, një zyrtar civil sigurisht po ashtu serb dhe më tutje në thellësi shumë ushtarakë e fare pak ose aspak qytetarë. Mbështetur për muri shihet vetëm një djalë, i cili duket se ka marrë guxim të dalë vetëm duke iu falënderuar moshës shumë të re dhe kureshtjes fëmijërore. Në një fotografi tjetër shohim turmën e rreshtuar skajeve të rrugës sikur mesit të saj do të parakalojë dikush, ndër të cilët ka më shumë qytetarë, por jo edhe të tillë me plisa të bardhë dhe në mesin e tyre ka përsëri shumë ushtarë serbë.

Prizreni do të shohë tmerre të tilla muajin në vazhdim. Sipas raportve, pasi që ushtria serbe e ka marrë nën kontroll qytetin, Ka filluar dhuna ndaj popullatës civile. Aradhat e ushtrisë serbe kanë hyrë nëpër shtëpi, duke plaçkitur, duke kryer dhunë e duke vrarë, pa marra parasysh gjininë a moshën. Rreth 400 njerëz janë “zhdukur” gjatë ditëve të para të pushtetit ushtarak, ndërsa sipas dëshmitarëve ato ditë rreth Prizrenit ka pasur rreth 1.500 kufoma të shqiptarëve. Më këtë rast, gazetarëve të huaj nuk është lejuar të shkojnë në Prizren. Pas veprimeve të ushtrisë serbe dhe njësive paramilitare, Prizreni është shndërruar në njërin prej qyteteve më të rrënuara të Vilajetit të Kosovës dhe popullata e ka quajtur “Mbretëri e vdekjes”. Pas gjithë këtyre, gjenerali Jankoviq i ka detyruar parinë e Prizrenit të nënshkruajnë një deklaratë falënderimi kralit serb Petar për çlirimin e tyre.

Vlerësohet se 5.000 shqiptarë janë masakruar në rajonin e Priztrrenit. Udhëtarja britanike Edith Durham dhe një atashe ushtarak britanik duhej të vizitonin Prizrenin në tetor 1912, por udhëtimi u anulua nga autoritetet. Durham ka thënë: “Pyeta [ushtarët] malazezë të plagosur pse nuk më lejuan të shkoja dhe ata qeshën dhe thanë: “Nuk i kemi lënë hundë një shqiptari atje lart! Një pamje jo e bukur për një oficer britanik.” Durham përfundimisht vizitoi një postë veriore shqiptare në Kosovë, ku takoi ushtarët e kapur osmanë, të cilëve u ishin prerë buzët e sipërme dhe hundët.

Kur trupat serbe nuk ia kanë dalë të gjejnë kuaj për transportin e pajisjeve më tutje në perëndim, i kanë mbërthyen 200 shqiptarë, duke i deturar të bartin 50-60 kilogram barrë për në Lumë, shumiva e të cilëve janë shembur gjatë rrugës.

Prizreni më 1913: Rrugë të shkreta, thua se në qytet nuk ka njeri

Në fotografitë e Auguste Léones rrugët e Prizrenit janë të shkreta. Në vendet ku shohim njerëz të rrallë, ata janë rregullisht të përcjellë nga serbë nën uniformë, në mos qofshin edhe nxjerrë në rrugë prej tyre.

Në foton e këtushme, shohim një shesh i cili pak çaste më parë ka mundur të ketë qenë i shkretë si edhe pjesët tjera të qytetit. Vitrinat e dyqaneve tregojnë se ato janë bosh, në rrugë ka më shumë ushtarë serbë se qytetarë, ndërsa ata pak njerëz në mesin e tyre duken të ngrirë si fantazma.

Prizreni i vitit 1913: Dyqanet thuaja se bosh dhe ndonjë qytetar i rrallë mes serbësh në uniformë

Tema e fotografive të Auguste Léones bën që këto dy qytete të veçohen, përndryshe masakra të tilla kanë ndodhur gjithandej Kosovës, në Malësi, në Shkodër, në Durrës e gjetiu.

Shkodra e vitit 1913: Një grup qytetarësh para murit të dëmtuar të një manastiri françeskan (sigurisht gjatë luftimeve me malazezët)

Sipas raporteve, gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912–13, Serbia dhe Mali i Zi kryen një sërë krimesh lufte kundër popullsisë shqiptare pas dëbimit të forcave të Perandorisë Osmane nga Shqipëria dhe Kosova e sotme, të cilat u raportuan nga shtypi opozitar evropian, amerikan dhe serb. Shumica e krimeve ndodhën midis tetorit 1912 dhe verës së 1913. Qëllimi i dëbimeve dhe masakrave me forcë ishte manipulimi statistikor përpara Konferencës së Ambasadorëve të Londrës për të përcaktuar kufijtë e rinj ballkanikë. Sipas llogarive bashkëkohore, midis 10,000 dhe 25,000 shqiptarë janë vrarë ose kanë vdekur për shkak të urisë dhe të ftohtit gjatë asaj periudhe. Shumë nga viktimat ishin fëmijë, gra dhe të moshuar. Përveç masakrave, disa civilëve iu prenë buzët dhe hundët.

Nga artikulli i gazetës The New York Times për masakrat serbe ndaj shqiptarëve

Komisioni Carnegie, një mision ndërkombëtar faktmbledhës, arriti në përfundimin se ushtritë serbe dhe malazeze kryen dhunë në shkallë të gjerë për “të gjithë transformimin e karakterit etnik të rajoneve të banuara ekskluzivisht nga shqiptarët”.

Raporti i Komisionit ndërkombetar për Luftërat Ballkanike

Është me interes, prandaj, që trashëgimia e Albert Kahnit të studiohet gjithanshëm për sa i kërket kulturës e historisë shqiptare të asaj kohe. Për këtë në ditët e sodit edhe nuk ka nevojë të udhëtohet në Francë, mjafton lundrimi pak më i thelluar në internet, në vend të postimit mendjelehtë sensacional të fotografive, të cilat janë me shumë vlerë.


Marketing