Paneli i Gjykatës së Apelit ka bërë shpalljen e aktgjykimit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Marketing

Ky panel ka vendosur që t’ua zbus nga tre muaj dënimet personave në fjalë – nga katër vjet e gjashtë muaj, në katër vjet e tre muaj burgim.

Ish-krerëve të OVL UÇK-së, do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.

Kujtojmë se më 18 maj të vitit 2022, Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë ksihin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të së cilave u janë shpërndarë gazetarëve në tri konferenca për media, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Marketing