Mos e prek sistemin e korruptuar – ky ka qenë Rubikoni përtej të cilit nuk ka mundur të kalojë drejtësia kosovare. A do të mund ta bëjë tash, në rastin e zgjedhjes së prokurorit të ri të shtetit?

Marketing

Në shoqërinë e zhurmshme kosovare për shkak të polarizimeve të thella partiake dhe të shumë mediave të gatshme për t’i dhënë më shumë jehonë, vështirë se mund të vërehet se ndoshta procesi më i rëndësishëm i kësaj kohe, krahas atij të dialogut me Serbinë, është ai i zgjedhjes së prokurorit të shtetit. Kështu, ky proces ende i papërfunduar, ndonëse kryeprokurorit të deritashëm, Aleksandër Lumezi, këtë muaj i ka kaluar mandati dhe në vend të tij është emëruar një ushtrues detyre, ka dro të mos e fitojë vëmendjen e duhur dhe të ketë atmosferë të përshtatshme nëpër të cilën duhet ta kalojë. 

Kandidatin e ri të votuar nga Këshilli prokurorial i Kosovës, të cilin pritet ta dekretojë apo ta refuzojë presidentja e shtetit, pos votuesve të tij, është e qartë se nuk e do askush. Ministria e Drejtësisë kishte vërejtje në ligjin për Këshillin prokurorial të Kosovës (dhe ia ka dalë edhe ta kalojë në Parlament inicimin e ndryshimit të tij), shoqëria civile po ashtu reagoi për shkeljet e konstatuara gjatë procesit vlerësues të kandidatëve për kryeprokuror, ndërsa procesin e kontestuan madje edhe drejtuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori amerikan dhe ai gjerman.        

Sigurisht, askush nuk u mor me punën e deritashme të kandidatit të votuar, Blerim Isufi, sepse kjo do të merrej si interferim në pavarësinë e gjyqësorit. Por, është e habitshme se as mediet nuk e bënë ndonjë vlerësim kritik të jetëshkrimit të tij profesional, ndonëse ai është ilustrim i mirë i gjendjes së drejtësisë në Kosovë.

Ngritje e rrufeshme në karrierrë

Kur Isufaj u bë këshilltar politik në Ministrinë e Drejtësisë, në vitin 2008, ai bagazh profesional kishte vetëm punën e praktikantit në Prokurorinë e Pejës e më pas të bashkëpunëtorit profesional po aty. Megjithatë, nga kjo pozitë në ministri ai do të ngrihet rrufeshëm në karrierrë. Në vitin 2010 zgjidhet prokuror i qarkut i krimeve të rënda, për të kaluar prokuror në Prokurorinë speciale në vitin 2013, ndërsa në vitin 2016 zgjidhet kryesues i Këshillit prokurorial të Kosovës dhe më 2019 kryeprokuror i Prokurorisë speciale të Kosovës.

Si prokuror i krimeve të rënda, atij ia përshkruajnë si suksese ndjekjen penale të disa rasteve të ekstremizmit fetar në Kosovë dhe terrorizmit. Si udhëheqës të institucioneve të drejtësisë reformat që i ka bërë.

Por, ka edhe të tjerë, të cilët e akuzojnë se ngritja e tij në karrierë nuk është aq skrupuloze. Enver Hasani, pas përfundimit të mandatit si kryetar i Gjykatës kushtetuese, është përballur me dy akuza, të cilat do t’i quajë “persekutim” me motive jo aq fisnike. “Aktakuzat janë nisur zyrtarisht më 14 prill 2015, të dyja për një ditë nga Drita Hajdari dhe Blerim Isufaj dhe me urdhër të kryeprokurorit (Aleksandër) Lumezi. Kushti i avancimit të tyre, i Blerim Isufit në Prokurorinë Speciale dhe Drita Hajdarit në prokurori, aty ku është, kanë qenë që të ngriten aktakuzat ndaj meje. Dhe ata janë avancuar menjëherë”, ka deklaruar Hasani.

Në pritje të dekretimit nga presidentja: Blerim Isufaj

Motivet e tilla është vështirë të vërtetohen, por kolegë të Isufajt e kanë parë si dobësi akuzimin e Enver Hasanit pas shpushtetizimit të tij dhe kanë pasur vërejtje në profesionalizmin e atyre akuzave. Ish-kryetari i Gjykatës supreme të Kosovës e profesor universitar i së Drejtës penale, Fejzullah Hasani, këto akuza “pa prova e pa dëshmi”, i ka shpjeguar për Radion Evropa e lirë si “mungesë ekstreme të dijes dhe profesionalizmit të prokurorëve, ose tendenca për të persekutuar njerëzit”.

Akuzë edhe më e rëndë Isufajt do t’i vijë nga kolegu i tij, Elez Blakaj. Prokurori Blakaj, me integritetin e tij njerëzor e profesional – me rastin e hetimit të manipulimeve me listat e veteranëve të luftës nuk ngurroi të akuzojë edhe krerë të lartë ushtarakë e politikë të Kosovës – shkëlqeu shkurtaz në terrin e drejtësisë kosovare. Reagimet me agresivitet të paparë të politikanëve e shpërfaqën mjerimin e drejtësisë së Kosovës, të nënshtruar ndaj pushtetarëve të korruptuar dhe faktin se shoqëria kosovare nuk ishte ende e përgatitur ta durojë një drejtësi të tillë, të pakompromis.

Një letër akuzuese

Me rastin e dorëheqjes, Blakaj kishte kënë një letër, me të cilën Blerim Isufajn, atë kohë kryetar i Këshillit prokurorial, e akuzonte se i kishte bërë presion që ta largonte nga lista e të akuzuarve ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berishaj, përkatësisht që ai të mos përfundonte me aktakuzë. “Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufaj, për të cilin kam pasur respekt, por thjeshtë dua t’ia bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berisha, përkundër insistimit të tij!”, kishte shkruar prokurori Blakaj.

Këto akuza nuk janë vërtetuar dhe s’mund të vërtetohen. Por, ajo që i nxjerr “të padukshëm” prokurorët e Kosovës dhe “të paqenë” drejtësinë e Kosovës, e tregojnë statistikat e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) të tash para një viti, të cilat betejën e drejtësisë kosovare kundër korrupsionit të nivelit të lartë e nxjerrin si humbëse të palavdi. 

Sipas raportit të IKD-së, për 13 vjet, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, prokurorët kanë ngritur 298 aktakuza kundër 216 politikanëve – pjesa dërmuese e tyre për vepra penale të korrupsionit. Nga gjithsej 298 aktakuzat e ngritura, 109 janë ngritur ndaj zyrtarëve të nivelit qendror, kurse 189 janë ngritur ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të nivelit lokal. Në këtë grup të politikanëve janë 55 raste, në të cilat janë akuzuar zyrtarë shtetërorë të profilit të lartë, por, ndonëse tre prej tyre u janë shqiptuar dënime përfundimtare, asnjëri prej tyre nuk është dënuar me burgim efektiv me aktgjykim të formës së prerë.

Të dhënat më të reja, nga një monitorimi që ka bërë Grupi për studime juridike dhe politike, gjatë vitit 2021, tregojnë se gjykatat e shkallës së parë në Kosovë kanë pasur 424 lëndë të korrupsionit, ndërsa kanë arritur të merren me vetëm 129 prej tyre. Prej këtyre të fundit, 38 kanë përfunduar me aktgjykim lirues apo refuzues, të tjerat kanë mbetur në trajtim.

Më një fjalë, “mos e prek sistemin e korruptuar” – ky ka qenë Rubikoni përtej të cilit nuk ka mundur të kalojë drejtësia kosovare.

Këtij sistemi i përket edhe prokurori Blerim Isufaj. Sistemit, i cili na ka bërë të turpërohemi pas çdo raporti të progresit të Komisionit Evropian, të State Departamentit Amerikan për gjendjen e të drejtave të njeriut apo Freedom House-it për demokracinë e liritë politike – që të gjitha rregullisht na e kanë përmendur drejtësinë e kapur. E, drejtësia e korruptuar e bën tërë sistemin e korruptuar. Faktikisht, ne jemi shoqëri e korruptuar!

A mund të bëhet kthesë?

A mund të bëhet një hap i rëndësishëm për kapërcimin e kësaj gjendjeje, çfarë sigurisht se paraqet zgjedhja e kryeprokurorit të ri?

Ka shenja shpresëdhënëse, por edhe vështirësitë janë të mëdha. Ministria e drejtësisë duket e përkushtuar për të bërë atë që është në dorë të saj që ky proces të jetë meritor. Pastaj, reagimet e ambasadorëve për këtë proces premtojnë se vemëndja ndërkombëtare do të jetë e vazhdueshme.

Nga ana tjetër, fortifikimi i Këshillit prokurorial pas kandidatit të tyre përkundër gjithë atyre vërejtjeve gjithandej, tregon se fronti i rezistencës është i madh dhe se sistemi i korruptuar do ta mbrojë veten me të gjitha mjetet. Në krah i ka edhe politikanët e korruptuar, të cilët përditë të lume do të shpikin skandale të qena e të paqena, që në zhurmën e tyre të mos mund të dalin në plan të parë problemet e vërteta të këtij vendi, ndërsa erë në vela në këtë synim u jep edhe një pjesë e madhe e shtypit të korruptuar.

Pastaj, ka drojë se ky sistem as që ka lënë ndonjë prokuror të zhvillohet si duhet. Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka deklaruar këto ditë se, të tri organizatat joqeveritare që e kanë mbikëqyrur këtë proces, në raportin e tyre të publikuar kanë dalë me përfundimin se jo vetëm Blerim Isufaj, por as edhe katër kandidatët tjerë për kryeprokuror të shtetit, “nuk kanë dhënë rezultate për të besuar se e meritojnë pozitën për të cilën kanë garuar”. Me një fjalë, edhe sikur ta kemi mundësinë që një prokuror thjesht ta vëmë në fron si perandor, s’do të kemi kë të zgjedhim!

Së fundit janë edhe procedurat, shkaku i të cilave procesi mund të zvarritet dhe të devalvohet gjatë gjithë rrugës. Presidentja tash e ka mundësine të mos e dekretojë kandidatin e votuar. Por, sipas disa analistëve, ka mundësi që rasti të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Në ndërkohë duhet të kalojë ligji për Këshillin Prokurorial dhe ky trup pastaj të zgjedhë kryeprokurorin e ri. Dhe kështu në pafundësi, gjatë të cilës Kosova mbetet me ushtrues detyre të kryeprokurorit, i cili tashmë edhe është caktuar. Është e qartë se ky proces, do të jetë test i rëndësishëm edhe për këtë qeveri, e ardhur me premtimet për kthimin e drejtësisë në vend. Në fakt, suksesi apo dështimi i saj, krahas veprimeve praktike me drejtësi, ndoshta më së shumti do të matet me suksesin apo mossuksesin e reformave në këtë fushë. Zgjedhja e prokurorit, ndërkaq, mund të jetë shenja më e dukshme e kthesës kopernikane kah drejtësia e pavarur, apo e vazhdimit me të vjetrën.

D. Gashi

Marketing