Hulumtimi i Insitutit “Demokraci për zhvillim”, i cili pritet të shpallet ditëve në vijim, çfarëdo që të jetë me përmbajtjen e tij, ka rëndësi se, më në fund po fillon një praktikë tashmë e harruar, që edhe puna e medieve t’i nëshktrohet vëzhgimit dhe kritikës publike

Marketing

Të enjten e kaluar, në shumë portale të Kosovës u botua një lajm, sipas të cilit Valdrin Sahiti, i prezantuar si njeriu i cili kujdeset për pamjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, paska pasaportë diplomatike. Në disa portale vetëm u përmend fakti se disejnatori Sahiti ka pasaportë diplomatike, ndërsa në ndonjë tjetër thuhet edhe se atë pasaportë atij ia ka dhënë presidentja Osmani.

Të nesërmen ky lajm u përgënjeshtrua nga Presidenca e Kosovës, duke thënë se Presidenca jo që nuk i ka dhënë pasaportë diplomatike Valdrin Sahitit, por se Presidenca as nuk jep kurrëfarë pasaportash, prandaj as diplomatike dhe se Vadrin Sahiti pasaportën që e ka, e ka nga qeveritë e kaluara.

Pa kërkimfalje!

Në morinë e portaleve të Kosovës është vështirë të vërtetohet se sa sosh e botuan përgenjështrimin e sa jo. Por, një gjë është e sigurt: se askush nuk kërkoj falje për lajmin e një dite më parë!

Dhe, në rastin e mediave të Kosovës, ky megjithatë paraqet vetëm majën e akullnajës së lajmeve të ngjashme për kah pavërtetësia, por me dëm më të madh shoqëror. Sepse, ky i fundit është për t’u veçuar vetëm pasi vjen një ditë pasi që Instituti “Demokraci për zhvillim” (D4d) publikoi rezultatet e një monitorimi të mediave, pasi që për shumë vite nuk kemi pasur asnjë të tillë. Thënë të drejtën, edhe i jep kuptim tjetër të gjeturës kryesore të këtij hulumtimi, drejtuesit e të cilit e prezantuan si “mjedisi medial është i ndjeshëm ndaj numrit të madh të artikujve që përmbajnë çrregullime të informacionit siç është gjuha e urrejtjes dhe tituj të ekzagjeruar”. Lajmi i cituar, fjalët “çrregullime” dhe “tituj të ekzagjeruar” i shndërron vetëm eufemizma për fjalët e duhura.

Përndryshe, në median kosovare po ndodh dukuria, ndaj të cilës nuk është imun sot as gazetaria e botës. Tabloidët, version i të cilit ndër ne sot janë portalet elektronike, ata të kohës para se të kenë evoluuar, ishin zëvendësim për thashetheme, dhe gjithmonë kanë qenë më me tirazh më të madh se shtypi serioz. Përkundër tirazhit më të pakët, shtypi serioz ka pasur më shumë ndikim se tabloidët. Sepse tabloidët nuk kishn synim që të merren seriozisht, as të marrin pjesë në lojërat politike. Dashuritë e ndarjet, vardisjet, kronika e zezë, thashethemet – këto ishin sfera të tyre të interesit. Me kohë tabloidët e kanë kuptuar se është më fitimprurëse të merren edhe me politikë, ndërsa shtypi ‘serioz’ e ka parë se do të jetë humbës po të mos i ketë edhe disa rubrika si tabloidët.

Pallati i dikurshëm i shtypit në Prishtinë, i shndërruar në ndërtesë qeveritare

Problemi i Kosovës, ndërkaq, është se ky vend po mbetet pa asnjë media serioze dhe të pavarura. Gazeta “Koha ditore”, e vlerësuar si më objektive dhe e pavarur, shkaku i pandemisë apo me pretekstin e saj pushoi së shtypuri e bashkë me të edhe ndonjë gazetë tjetër, e cila shtypej deri atëherë. Radiotelevizioni i Kosovës, i cili për shumë viteve ishte vënë hapur në anën e një krahu politik dhe punën e tij e kanë përcjellë skandale të shumëta, e ka shumë të vështirë te kthehet në një transmetues publik, i cili vërtet do t’i shërbejë publikut. Në të vëretetë, pësimet më të mëdha hapësira mediale e Kosovës i ka që nga pushimi së shtypuri i gazetës më me traditë, “Rilindja”, dhe veprimit edhe më të pakuptueshëm të marrjes së Pallatit të shtypit nga qeveria, një veprim ky i pashembullt për vende demokratike.

Portalet dhe televizionet private vetëm për nga numri i tyre i madh, në një vend kaq të vogël, zgjojnë dyshime për burimet e tyre të financimit, prandaj edhe me politikat e tyre redaktuese, për shkak se në kohën e internetit e të rrjeteve sociale mundësitë e reklamimit – prej të cilave do të duhej të mbijetojnë mediat – janë bërë shumë më të mëdha, ndërsa çmimet kanë rënë. Por, nuk është i panjohur as fakti se shumë portale dhe media të tjera në fakt kanë shërbyer vetëm si bankomatë!

Hulumtimi i Insitutit “Demokraci për zhvillim”, i cili, siç u thanë një konferencë të tij, pritet të shpallet ditëve në vijim, çfarëdo që të jetë me përmbajtjen, ka rëndësi se, më në fund po fillon një praktikë tashmë e harruar, që edhe puna e medieve t’i nëshktrohet vëzhgimit dhe kritikës publike.

Një hulumtim i mirëseardhur

Megjithatë, do të jetë vërtet kuroze të shihet ajo që, siç u tha, se gjatë kësa periudhës janar – mars “ka pasur një numër të madh të lajmeve të ndikimit nga jashtë, ku pjesa pjesa më e madhe e këtij raporti përfshijnë narrativat rreth agresionit të Rusisë mbi Ukrainën dhe ndikimit të saj në marrëdhëniet rajonale – sidomos ato mes Kosovës dhe Serbisë”.

Premtimet e Judita Krasniqi – Hajdarit, hulumtuese dhe menaxhere e projekteve, se Instituti D4D “mbetet i përkushtuar në përforcimin e demokracisë në Kosovë si pjesë e shoqërisë civile, duke besuar në misionin e saj dhe duke punuar fuqishëm në përkrahjen e punës dhe pavarësisë së mediave si indikator i demokracisë në vend”, duke vlerësuar si premtim se një praktikë e re në fushë të mediave po fillon. Aq më parë, kur kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, theksoi se është “shumë shqetësuesese se kemi një numër të madh të çrregullimit të informacionit në portalet tona online e që ndikojnë në kategori të ndryshime të shoqërisë..”

Në ndërkohë, mediat po e vazhdojë atë që, thënë me fjalët më të buta mund të quhet “manipulim medial”. Duke shfrytëzuar një fotografi nga tubimi i liderëve ballkanikë në Selanik, në mesin e të cilëve ishte edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, ka shpërthyer histeri kritikash ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kinse ajo po e injoron kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke shkaktuar kështu përçarje mes shqiptarëve. Ndërsa, një vëzhgim i paanshëm dhe i pa pasione politike, do të shohë se Vjosa Osmani ishte ulur afër kancelarti gjerman Olaf Scholz, të cilin edhe i takonte të ishte në qendër të vëmendjes, ndërsa ishte Edi Rama ai i cili ishte distancuar – mes tij dhe Vjosa Osmanit ka një vend bosh, ndërsa vetë Rama qëndron i tërhequr. Por, porosia e gjithë atyre reaguesve kanë një hall tjetër – atë të Ballkanit të hapur, të cilin e mbështesin, ndërsa shtypi i boton pa asnjë rezervë.

“Gazetaria e sotme, këtu ndër ne, nuk respekton asnjë rregull, asnjë kod dhe duket se të gjitha mediet janë shnderruar në zëdhënës (telall) qe as dreqi nuk e di të kujt dhe nga i marrin financat”, thotë për Albora.ch Ymer Avdiu, gazetar i dikurshëm i “Rilindjes”.

Sipas Avdiu, me kaq shumë medie, Kosova megjithatë është në terr informativ.

“Shihet qarte se edhe për klikime janë të gatshëm ta djegin pa mëshirë tërë vendin. Mund të themi se sot Kosova, me kaq shumë medie është në terr të plotë informativ dhe qytetari i nënshtrohet në mënyrë të pamëshirshme një dezinformimi dhe çorientimi deri në shkallën e luftës speciale”./D. Gashi

Foto: Albora.ch

Marketing