Të rinjtë nga Kosova, vazhdimisht po triumfojnë në fusha të ndryshme, duke dëshmuar me punën dhe përkushtimin e tyre, suksese jo vetëm në Kosovë, mirëpo sukses ndërkombëtarë dhe po kthehen në emra që po i njeh e gjithë bota.

Marketing

Altina Salihu, nxënëse e klasës së dhjetë, 18 vjeçe, në komunën e Skënderajt, ka arritur të mposhtë 145 shtete, në gara ndërkombëtare të gjeografisë, që edhe këtë vit janë mbajtur online, për shkak të pandemisë, bën të ditur Radio KFOR-i.

Radioja e forcës paqerujatëse të Kosovës ka zhvilluar një bisedë me Altinën, e cila tregoi më shumë për këto gara dhe dashurinë e saj për gjeografinë:

“Dëshira ime ka qenë që të marr pjesë në gara në gjeografi dhe pasi profesorët e mi e kanë parë interesimin dhe njohuritë e mija në këtë fushë, fillimisht kam marrë pjesë në gara me nxënës të tjerë nga Kosova, ku kam arritur të marr 98 pikë, duke dalë e para dhe pastaj kam marrë pjesë në gara me shtetet e Gadishullit Ballkanik. Atje sërish jam vlerësuar me vendin e parë dhe pastaj në garat evropiane dhe botërore, ku kam arritur të fitoi vendin e parë, nga pjesëmarrësit e 145 shteteve të tjera.”

Altina tregoi se ajo do të vazhdojë të punoj edhe më tepër dhe do të marr pjesë vazhdimisht në gara, derisa se do të fokusohet në studimin gjeografik të hartës së vendeve të Evropës, pasi janë vendet e saj të preferuara. Gjithashtu, Altina për të gjithë të rinjtë në Kosovë, ndau një mesazh motivues: “Porosis të gjithë të rinjtë, që të mos dorëzohen asnjëherë, të punojnë drejt ambicieve të tyre dhe vetëm me punë do të arrijnë sukses.”

Altina përveç gjeografisë, pëlqen edhe astronominë dhe tha se dëshira e saj më e madhe do të ishte që një ditë një yll, të mbajë emrin e saj.

Foto: Radio KFOR

Marketing