Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë rrallë kanë qenë të mira. Por për futbollistët serbë, që luajnë në vendin e armiqve të tyre të dikurshëm, sporti i kapërcen dallimet që ekzistojnë tash e kohë të gjatë midis rivalëve, shkruan agjencia e lajmeve AFP.

Marketing

“Futbolli është një mjet përrallor për të mësuar të jetoni së bashku”, tha Lluka Millanoviq, 29 vjeç, i cili është një nga 15 futbollistët serbë që luajnë profesionalisht në Shqipëri.

Lidhjet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë qenë prej kohësh të rrethuara prej dallimeve, veçanërisht për pikëpamjet e tyre kontradiktore për statusin e Kosovës. Pas një lufte të përgjakshme në fund të viteve 1990-a, Beogradi vazhdon ta shohë Kosovën si një krahinë të vetën dhe nuk e ka njohur kurrë deklaratën e pavarësisë së Kosovës të bërë në vitin 2008. Mosbesimi midis Kosovës – me shumicën e saj shqiptare dhe myslimane – dhe të Serbisë – me një komb kryesisht ortodoks – është larg mendimeve të Millanoviqit në fushë. Atij i është bërë një “mirëseardhje e ngrohtë” që kur mbërriti katër muaj më parë për të luajtur profesionalisht në Shqipëri për Kukësin, një ekip i kategorisë elitare që vjen nga një rajon malor në kufi me Kosovën. Zona dikur strehoi më shumë se 500,000 shqiptarë etnikë që ikën nga sulmet e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë. Tani rajoni është i qetë dhe është shtëpia e shqiptarëve të Kosovës, malazezëve dhe kroatëve të cilët gjithashtu luajnë futboll për ekipin e Kukësit.

“Unë jam këtu për dashurinë e futbollit”, tha Lluka.

Për të, luajtja në Shqipëri është një vazhdim i natyrshëm i një karriere që e ka parë të luajë për skuadrat si Cërvena Zvezda e OFK Beograd në Serbi, së bashku me periudhat në Belgjikë, Malajzi, Greqi dhe Hungari.

“Gjuha e futbollit”

“Për futbollistët dhe tifozët e klubit, Lluka është njëri prej nesh, pa asnjë dallim”, tha Erjon Allaraj, zëdhënës i klubit të Kukësit.

Ndërkohë, kapiteni i Kukësit, Gjelbërim Taipi, që është me prejardhje nga Bujanovci, ka shtuar: “Në flasim gjuhë të ndryshme, por të gjithë e njohim gjuhën e futbollit”.

Për lindjen e fëmijës së parë të Millanoviqit në muajin dhjetor, e gjithë skuadra iu bashkua atij për të festuar. Përvoja e tij te Kukësi është e jashtëzakonshme deri më tani.

Në anën tjetër të vendit, jo shumë larg brigjeve të Adriatikut, Aleksandar Ignjatoviq, 33 vjeç, kujton tronditjen dhe shqetësimin e miqve të tij kur iu tha se po shkonte në Shqipëri për të luajtur me fanellën e skuadrës së Laçit.

“Tani kur ata e shikojnë në ‘Instagram’ jetën time në Shqipëri, shumë më thonë se duan të vijnë të më vizitojnë”, tha Ignjatoviq.

Duke pasur parasysh se është në prag të pensionimit nga futbolli aktiv, Ignjatoviq thotë se shpreson të përdorë përvojat e tij në Shqipëri për të zhvilluar një karrierë pas futbollit.

“Po mendoj të hap një agjenci turistike që do të më lejojë të punojë në Shqipëri dhe Serbi. Tani i njoh të gjitha vendet e bukura në Shqipëri”, thotë ai dhe shpreh shpresën për të fituar para nga industria turistike në rritje e Serbisë.

Ignjatoviq gjithashtu krenohet që ka shumë miq shqiptarë dhe tallet me paragjykimet etnike që kanë ndarë prej kohësh shumë komunitete në rajon.

“Si duhet të jetë”

“Futbolli na lejon t’i forcojmë lidhjet tona. Futbolli dhe politika janë dy botë krejtësisht të ndryshme”, thotë Ignjatoviq, i cili prej tri vjetësh jeton në Tiranë me gruan e tij, Mila, dhe vajzën tremuajshe, Iskra.

Për Vladimir Novakoviqin, një analist futbolli me kanalin sportiv serb “Sportklub”, gatishmëria e serbëve për të luajtur në Shqipëri mund të kuptohet me gjetjen e një pune në atë vend.

Ndërsa sporti ka aftësinë për të bashkuar, ai gjithashtu ka shërbyer si një arenë e fuqishme për ndjenjat nacionaliste ndër vite, veçanërisht në Ballkan, ku tifozët ultras të futbollit kanë përqafuar këtë dukuri gjatë ndeshjeve. Në vitin 2014 dhuna shpërtheu gjatë një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, pasi një dron fluturoi mbi fushë me një flamur të përdorur nga shqiptarët. Gjatë Kupës së Botës “Rusia 2018”, dy futbollistët e Zvicrës, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka – që të dy kanë prejardhje nga Kosova – u gjobitën nga FIFA për festimin e golave ​​të tyre kundër Serbisë, duke bërë “shqiponjën me duar”, gjest ky që e përfaqëson flamurin shqiptar. Incidenti u pasqyrua gjerësisht në Serbi, ku deri më sot asnjë shqiptar nuk po luan në ligat profesionale të futbollit në këtë vend.

Për 82-vjeçarin, Borisav Stojaçiq, mungesa e shqiptarëve në Serbi është një lajthitje e fundit. Ai kujtoi kohët më të thjeshta të “epokës jugosllave, kur prania e lojtarëve shqiptarë… nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme”.

“Kështu duhet të jetë. Theksimi i kombësisë së dikujt është një problem që u shfaq vetëm disa dekada më parë”, insistoi ai. /albora.ch/

Marketing