“Sipas informacioneve tona, Alex Frei është trajneri i preferuar për të zënë vendin e Bernard Challandes në krye të ekipit të Kosovës”, kështu shkruan gazeta zvicerane “Blick”, përcjellë albora.ch.

Në artikullin e publikuar gjatë ditës së premte, prestigjiozja zvicerane shkruan se ish-sulmuesi i kombëtares së Zvicrës është një kandidat kryesor për të qenë trajner i Kosovës.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili aktualisht gjendet në Zvicër, sipas tyre është duke negociuar me trajnerin 42-vjeçar.

Sipas burimeve të albora.ch, i pari i FFK-së ishte në Zvicër dhe ka takuar futbollistë të rinj nga Kosova, të cilët kanë zhvilluar një kamp stërvitor në qytetin e Wil-it.

Kujtojmë që Frei aktualisht është trajner i skuadrës së Wil-it, e cila garon në kategorinë e dytë të futbollit zviceran.

Në karrierën e tij si futbollist, ai ka luajtur në skuadra të njohura si: Borussia Dortmund, Rennes, Basel, Luzern, etj.

Derisa ai ka luajtur edhe për kombëtaren e Zvicrës në 84 ndeshje zyrtare, ku ka realizuar 42 gola. /albora.ch/