Nuk është hera e parë që dëgjojmë se njerëzit mëngjarashë janë më të zgjuar. Duket sikur ngado t’i hedhësh sytë mund të gjesh një mëngjarash, ama ata përbëjnë më pak se 10% të popullsisë së botës.

Marketing

Shumë prej njerëzve më të famshëm në botë kanë shkruar me dorën e majtë, për shembull, 3 nga 6 presidentët e fundit amerikanë ishin mëngjarashë: George H.W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama.

Plus, edhe ky grup elitar i disa prej njerëzve më të jashtëzakonshëm që kanë lënë shenjën e tyre në histori, e kishin dorën e majtë më dominante: Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi, Paul McCartney, David Bowie, Jimi Hendrix, James Baldwin, Nikola Tesla, Oprah Winfrey, Bill Gates apo dhe Steve Jobs.

A janë “të majtët” më të zgjuar se “të djathtët”?

Për të hetuar këtë pyetje, studiuesit e revistës Frontiers, shikuan ndryshimet në arritjet matematikore midis më shumë se 2,300 nxënësve që shkruanin “me të djathtën ose të majtën” midis moshës 6 dhe 17 vjeç në Itali.

Ndërsa nuk kishte asnjë ndryshim kur shikonin problemet më të lehta matematikore, studentët mëngjarashë kishin një avantazh të rëndësishëm në problemet më të vështira, siç është lidhja e një funksioni matematikor me një grup të dhënash, sipas studimit të udhëhequr nga Giovanni Sala, një profesor asistent në Institutin për Shkenca Gjithëpërfshirëse Mjekësore në Universitetin Shëndetësor Fujita në Japoni.

Por përse dora dominuese e një personi mund të jetë e lidhur me aftësitë matematikore?

Mbase sepse të shkruarit me dorën e majtë lidhet me disa ndryshime befasuese në arkitekturën e trurit.

Një meta-analizë e vitit 1995 e 43 studimeve të botuara në revistën Psychobiology përcaktoi se mëngjarashët posedojnë një corpus callosum – tufa e fibrave nervore që lidhin dy hemisferat e trurit – dukshëm më të madh sesa ata që shkruajnë me dorën e djathtë.

“Një mundësi është që lidhja më e fortë midis dy hemisferave të lejojë subjektin [mëngjarashët] të ketë aftësi më të forta hapësinore dhe ne e dimë se aftësitë hapësinore janë të lidhura me matematikën sepse matematika shpesh konceptohet në të gjithë hapësirën,” tha Sala, i cili drejtoi kërkimin e tij ndërsa ishte në Universitetin e Liverpulit në Mbretërinë e Bashkuar.

Por ka edhe një faktor tjetër mjaft interesant.

Në disa raste, kjo “dhunti” mund të varet nga mënyra se si një person është bërë mëngjarash.

“Dora që përdorim për të shkruar është një tipar shumë kompleks, dhe konkretisht dora e majtë mund të jetë një avantazh ose një disavantazh në varësi të shkakut”, tha Sala për Live Science.

Ndonjëherë, “të shkruarit me dorën e majtë mund të shkaktohet nga një lloj dëmtimi i trurit, kur hemisfera e djathtë duhet të marrë përsipër kontrollet sepse ka një lloj dëmtimi në hemisferën e majtë”.

Ky lloj dëmtimi mund të shkaktohet nga një lezion hemisferik që ndodh para lindjes. Nëse lezionet ndodhin në hemisferën e majtë të trurit, atëherë kjo mund ta bëjë individin të përdorë kryesisht gjysmën e djathtë të trurit të tij.

Studimi i referohet këtij fenomeni si “mëngjarashja patologjike” dhe vë në dukje se kjo mund të çojë në vështirësi në të mësuar. Me fjalë të tjera, ndonjëherë të qenit mëngjarash shoqërohet me probleme në të mësuar.

“Sapo të shihni se subjekti nuk sfidohet intelektualisht … atëherë të shkruarit me dorën e majtë mund të përdoret si një parashikues i mirë i aftësisë intelektuale, veçanërisht aftësisë matematikore,” tha Sala.

Megjithatë, ai paralajmëron se rezultatet e tij nuk janë fjala e fundit e shkencës dhe se studime të mëtejshme duhen bërë ende.

Për më tepër, të dhëna të tjera thotë ai, pretendojnë se të djathtët kanë një avantazh të lehtë intelektual ndaj të majtëve.

Një studim i vitit 2017 në revistën Neuroscience and Behavioral Reviews shqyrtoi 18 studime të tjera që përfshinin të dhëna nga mbi 20,400 njerëz dhe zbuloi se “të djathtët kishin një IQ mesatarisht më të lartë se të majtët.

“Juria është ende e pavendosur kur bëhet fjalë për pyetjen nëse dora me të cilën dikush shkruan është një faktor që lidhet me inteligjencën dhe nëse ka vërtetë një lidhje midise aftësisë relative të dorës dhe inteligjencës së dikujt,” – thanë autorët e këtij studimi.

Paragjykimi ndaj mëngjarashëve ka rrënjë të thella dhe është i ndërthurur në vetë gjuhën tonë.

Të jesh “krahu i djathtë” i dikujt është diçka e mirë ndërsa ata që shkruajnë me dorën e majtë gjykohen shpesh si “sallaks” apo “të mbrapsht”.

Por, dukshëm nuk ka asgjë anormale rreth të shkruarit me dorën e majtë. Vetëm nëse me “anormale” i referohemi të gjithë njerëzve të veçantë që kanë qenë mëngjarash.

Përsa i përket pyetjet…mesa duket do të na duhet të presim, pasi deri tani shkenca nuk e ka dhënë ende verdiktin e saj final!

Marketing