Kryeministri Albin Kurti është takuar të enjten me senatorin Chris Murphy, me të cilin diskutoi për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të veçanta ndërmjet dy vendeve.

Marketing

E lidhur me takimin, ka shkruar edhe senatori Chris Murphy.

“Kënaqësi të bisedojë me mikun tim Albin Kurti, kryeministrin e Kosovës. Ai po bën një turne të madhe në Shtetet e Bashkuara (përfshirë Konektikat më vonë këtë javë!) për të na kujtuar lidhjen e pathyeshme mes Amerikës dhe Kosovës”, shkruan senatori.

Ndërkaq, mbrëmë për takimin me senatorin ka njoftuar edhe Zyra për media e Kryeministrisë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka njoftuar senatorin Murphy për vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e sanksioneve shtesë dhe në përputhje me paketën e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së ndaj Rusisë.

Kryeministri Kurti foli edhe për takimet me investitorë potencialë në SHBA, me theks tek ata të fushës së Teknologjisë së Informacionit.

Ndërsa, sipas komunikatës së Qeverisë senatori amerikan tha se vizita e kryeministrit Kurti është rikujtim i marrëdhënieve të pathyeshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Ai gjithashtu e njoftoi kryeministrin se reputacioni i Kosovës në sektorin e teknologjisë së informacionit është në rritje dhe ka cituar interesimin e kompanive të këtij sektori për të investuar në Kosovë.

Ndryshe, kryeministri Kurti e kishte pritur në vizitë në Kosovë senatorin Murphy në prill të këtij viti.

Marketing